“Dështon” zëvendësimi me shtetas nga Bangladeshi

Tregu shqiptar i punës nuk po rezulton aq atraktiv siç mendohej në fillim para pandemisë, kur nisi tendenca e kontraktimit të punonjësve nga Afrika, sipas agjencive që punësojnë të huaj në Shqipëri.

Përfaqësuesit e agjencive shprehen se kur erdhën afrikanët e parë e deri më tani, tregu shqiptar i punës shfaqi problematika të thella në drejtim të informalitetit, kontratave të punës, burokracive dhe trafikut të paligjshëm. Pavarësisht ndryshimit të ligjit për punësimin e të huajve ka sërish burokraci nga zyrat e punës për regjistrimin e tyre. Disa ndërmarrje që kanë punësuar të huaj, gjatë kësaj kohe nuk janë treguar korrekte me kontratat dhe kushtet e tjera, duke krijuar një imazh jo të mirë të vendit ndaj punonjësve të huaj.

Shumë kompani i përdorën kontratat e punësimit për arsye trafikimi. Duke qenë se Shqipëria është një vend europian, shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit afrikanë që ofrohen për punë Shqipëri, e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian.

Shumë biznese shqiptarë panë si zgjidhje për të zëvendësuar forcën punëtore që emigroi me punonjës nga Afrika. Agjencitë e punësimit nisën “importin” e organizuar të punonjësve nga vendet e Azisë dhe Afrikës, mirëpo historia dyvjeçare e këtij fenomeni tregoi se tregu i shqiptar i punës nuk është i denjë as për punonjësit afrikanë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është skeptik për zëvendësimin e forcës së punës. Ai shprehet se bizneset shqiptare kanë pasur humbje historikisht të larta për shkak të mangësive në kompetenca të punonjësve shqiptarë. Për shembull, për shkak të mungesës së inxhinierëve të mirë dhe mekanikëve, një fabrike mund t’i krijohen mijëra euro humbje për neglizhencë.

Ndaj furnizimi me punonjës nga vende që nuk paraqesin kualifikim dhe kompetenca, në vend që të përmirësojë produktivitetin, rrezikon ta cenojë më tej. Jaka tha se, emigracioni në mënyrë të organizuar duhet të ishte bërë mbi studim paraprak, ku të përcaktoheshin qartë nevojat për fuqi punëtore, sipas sektorëve dhe më pas të përzgjidheshin vendet me aftësi më të mira në këto fusha.

Paga mesatare neto në Shqipëri përllogaritet 323 euro në muaj, sipas të dhënave të vitit 2019, referuar nga “Numbeo”. Pas Shqipërisë vjen Bangladeshi me 301 euro në muaj, Armenia 300 euro në muaj dhe Irani me 296 euro në muaj. Ndërsa me diferencë nga paga mesatare e Shqipërisë paraqiten Sri Lanka me 232 euro në muaj; Nepali, 182 euro; Nigeria, 175 euro; Siria, 86 euro etj.