Detajet e reja/ 13 raste të reja me Covid 19 në radhët e stafit mjekësor, si paraqitet gjendja e tyre

Pas disa javësh të gjata me qetësi, Covid 19 duket se po shënon raste të reja në vendin tonë. Ka raportime se 13 persona që janë personel mjekësor kanë rezultuar mbartës të Covid 19 në 24 orët e fundit, pjesë e strukturës spitalore të QSUT-së.

Dyshimet janë se ata janë infektuar nga një kolegia e tyre, e cila për momentin është e shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, me simptoma të mesme, e cila ka rezultuar pozitive të hënën.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se 13 prej personelit mjekësor të prekur i përkasin sëmundjeve të brendshme. Sipas ministrisë 4 persona, personel mjekësor janë në spital, të tjerët janë me simptoma të lehta dhe të mesme, dhe aktualisht po mbahen të izoluar në kushtet e shtëpisë.

”Janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë. Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë jane transferuar në spitalin infektiv.”, njofton MSH.

Të gjithë ekspertët thonë se rritja e rasteve është e pranueshme, sa kohë që ka nisur tashmë prej disa javësh lehtësimi i masave të distancimit social, dhe në të gjitha qytetet lëvizja e qytetarëve po bëhet pa asnjë lloj autorizimi. Shqetësuese do të ishte në rast se do të kishim një numër shumë të madh personash të shtruar në Infektiv, gjë që derimë tani nuk ka ndodhur.