Dhuratat dhe trashëgimitë në të holla jashtë familjes do tatohen 15%

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur hartimin për ndryshimin e ligjit për “Tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar i miratuar për herë të parë në vitin 1998. Projektligji parashikon ndryshime për taksimin e profesioneve të lira, si të vetëpunësuar që ofrojnë shërbime, duke kaluar në një sistem të ri që është taksimi progresiv. Të…

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur hartimin për ndryshimin e ligjit për “Tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar i miratuar për herë të parë në vitin 1998.

Projektligji parashikon ndryshime për taksimin e profesioneve të lira, si të vetëpunësuar që ofrojnë shërbime, duke kaluar në një sistem të ri që është taksimi progresiv. Të ardhurat e kësaj kategorie, pas zbritjes së shpenzimeve për qira, drita etj do të taksohen si të ardhurat e të punësuarve, pra me normë tatimi progresive.

Gjithashtu drafti i ri për herë të parë do të përfshijë edhe konceptin e taksimit të dhuratave në të holla dhe të trashëgimisë në të holla me normë tatimi 15%.

Me ndryshimet ligjore taksimi i të hollave të dhuruara apo të trashëguara do të përfshihen në grupimin “të ardhura të tjera”, që nuk parashikohen në legjislacionin aktual. Nga taksimi do të përjashtohhen dhurimet dhe trashëgimitë brenda familjes.

Ndërsa të ardhurat nga lojrat e fatit do të vazhdojnë të taksohen me të njëjtë normë 15%. Në draftin e ndryshuar të ligjit për tatimin mbi të ardhurat baza tatimore vjetore përbëhet nga: Të ardhurat vjetore të tatueshme e punësimit; Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit; Të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve dhe Të ardhurat e tjera vjetore të tatueshme.

Ndër të tjera ndryshimet ligjore parashikojnë të mbajnë të pandryshuar lehtësitë dhe përjashtimet të tatim fitimit për disa kategori, si: IT, hotele, agroturizëm, shoqëritë e bashkëpunimit shoqëror etj.

Drafti

Neni 21

Të ardhura të tjera

1.Të ardhurat e tjera përbëhen nga:

a.Të ardhura nga lojërat e fatit dhe kazinotë;

b.Të ardhurat në të holla nga trashëgimia dhe dhurimet perjashtuar trashegiminë dhe dhurimet ndëmjet lidhjeve prind-femijë, bashkeshort-bashkëshorte dhe vëllezër-motra, dhe kur vertetohet se këto të ardhura të trashëguara apo të dhuruara kanë qënë të taksuara më parë tek trashëgimlënësi apo dhuruesi.

2.Të ardhurat e tjera vjetore të tatueshme përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave sipas pikave në paragrafin 1 më lart dhe të marra nga një tatimpagues gjatë periudhës tatimore.

Neni 70

Lehtësitë dhe përjashtimet tatimore të parashikuara në Ligjin Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar do vazhdojnë të aplikohen si më poshtë:

a.Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin me normën 5% do zbatohet deri në fund të vitit 2022.

b.Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % do zbatohet deri në fund të vitit 2025.

c.Për subjektet (persona juridike dhe persona fizikë), të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin 5 % do zbatohet sipas parashikimit të paragrafit 4 të nenit 28 të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.

d.Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive, shkalla e tatimit mbi fitimin 5 % do zbatohet deri në fund të vitit 2025

e.strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, përjashtimi nga tatimi mbi fitimin korporatv do vazhdojë të zbatohet sipas përcaktimeve të pikës “g” të nenit 18 të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.

f.Për personat juridikë me të ardhura deri 14 milion lekë, norma e tatimit mbi fitimin korporativ 0 % e parashikuar në Ligjin Nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, do aplikohet deri në fund të vitit 2026.

Ligji aktual

Neni 18

Përjashtimet

g.strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të structures akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Neni 28

Shkalla tatimore

1.Shkalla e tatim fitimit është:

a.0% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14,000,000 lekë në vit.

b.15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14,000,000 lekë në vit. (Ndryshuar me efekt nga 1 Janari 2021 me Ligj Nr. 106/2020, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 154, datë 26.08.2020)

2.Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e softëare-ve, tatimi mbi fitimin është 5%. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të softëare-ve, si dhe procedurat për zbatimin e këtij paragrafi. (Ndryshuar me Ligj nr. 105/2017, dt. 30.11.2017. Botuar në FL.Z. nr. 222, dt. 19 dhjetor 2017)

3.Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %.

4.Për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi. (Ndryshuar me Ligj nr. 39/2018, dt. 09.07.2018. Botuar në FL.Z. nr. 134, dt. 18 shtator 2018. Hyn ne fuqi prej dates 1 janar 2019).

5.Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 për qind. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim aktivitetet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike. (Shtuar me Ligj nr. 84/2019 dt. 18.12.2019. Botuar në FL.Z. Nr. 184, dt. 31.12.2019).