Dorëhiqen kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të kësaj komune deklaroi se po jep dorëheqjen për shkak të "represionit të vazhdueshëm institucional që zbatojnë institucionet e Kosovës nga Prishtina"

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës në të cilat shumica janë serbë, sot kanë dhënë dorëheqje nga posti i tyre, për shkak të vendosjes së 100 për qind të taksës ndaj produkteve të Serbisë, bëhet e ditur pas seancës së sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të komunës së Mitrovicës së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Dorëheqje kanë dhënë kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, kryetari i komunës së Leposaviçit Zoran Todiç, kryetari i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviç dhe kryetari i komunës së Zveçanit Vuçin Jankoviç. Dejan Gureshiç, kryetar i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut deklaroi para gazetarëve se “organet e administratës kosovare në veri të Kosovës më nuk ekzistojnë”.

“Funksionimi i mëtejshëm i vetëqeverisjes lokale sipas sistemi shqiptar të Prishtinës, në veri të Kosovës, është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe asambleja vendore nuk do të mblidhet. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi deri në tërheqjen e plotë të të gjitha masave diskriminuese të Prishtinës”, tha Gureshiç.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore deklaroi se po jep dorëheqjen për shkak të “represionit të vazhdueshëm institucional që zbatojnë institucionet e Kosovës nga Prishtina dhe rrezikimi i të drejtave të njeriut të popullit serb”.

Ai gjithashtu tha se “jep dorëheqje për shkak të vendosjes së taksave anti-civilizuese, kundërligjore prej 100 për qind, me të cilat bllokohet furnizimi normal dhe shpërndarja e produkteve nga Serbia”.

“Kjo na vë në rrezik të drejtën për jetë, kurimin, informimin publik, qëndrimin dhe mbijetesën në vatrat tona, e të cilat shkaktojnë një krizë humanitare me përmasa të gjera”, tha Rakiç.