Dorëzimi i mandatit i hap rrugën arrestimit të Bllakos pa miratim nga Kuvendi

Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako ka hequr dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit.

Ndonëse, Bllako nuk është zëvendësuar ende, sipas nenit 70 të Kushtetutës me dorëzimin e mandatit, ai nuk është më zyrtarisht i zgjedhur.

Kjo do t’i hapë rrugën arrestimit të tij siç ka kërkuar SPAK, pa qenë nevoja që Kuvendi të japë miratim.

Për ekzekutimin e arrestimit nga policia, do të pritet që Kuvendi të protokollojë kërkesën për lënien e mandatit nga ana e Bllakos.

Kushtetuta parashikon se ‘deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit’.

‘Një deputet mund të arrestohet pa autorizim vetëm nëse ‘kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë’, parashikon Kushtetuta.

Vendi bosh i krijuar nga dorëzimi i mandatit  të Bllakos, pritet të njoftohet gjatë seancës së ardhshme parlamentare.

Me njoftim të Kuvendit, KQZ mis procedurat e zëvendësimit. Në këtë rast, do të jetë ish-kryeministri Pandeli Majko që do të ketë të drejtën për të marrë mandatin.

Një ditë më parë, SPAK kërkoi miratim nga Kuvendit për arrestimin e deputetit Bllako pasi akuzohet i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Deputeti i PS akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Gjatë procedurave të shpronësimit të tokës ku do të ndërtohej inceneratori, Bllako në bashkëpunim me ish-ministrin Koka dhe Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi kanë falsifikuar dokumentet duke e cilësuar tokën arë si tokë truall për të rritur vlerën e dëmshpërblimit.

Po ashtu, nga hetimet e SPAK kanë rezultuar të dhëna se deputeti Bllako, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësit, ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”, kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të shumës prej 14,964,900 lekë.