Një 67-vjeçar nga Rrashbulli është shtruar prej një jave në Spitalin Rajonal të Durrësit, në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton Top Channel.
Ai është diagnostikuar me grip të shkaktuar nga virusi AH1, një mutacion i gripit të derrit, e ndodhet në terapi intensive në Reanimacionin e spitalit të qytetit bregdetar, i ndihmuar nga pajisje të jashtme për frymëmarrjen.
Përcaktimi i llojit të virusit është bërë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas mjekut Izet Aliaj, i prekuri vuan edhe nga sëmundje kronike kardiovaskulare dhe ato të mushkërive, gjë që e kanë rënduar gjendjen e tij, duke bërë që të kalojë në pneumoni masive.



