Dy të infektuar tek Partizani/ Nesër do të luhet Derbi me Tiranën

Besnik Ferhati dhe Dejan Boldor kanë tronditur jo pak kampin e Partizanit pasi rezultuan pozitiv me Covid 19 çka detyroi jo vetëm skuadrën por dhe stafin teknik të kryenin testet e nevojshme dhe janë ende në pritje të përgjigjes përfundimtare.

Megjithatë pikëpyetjet janë të mëdha pasi diçka e tillë i ndodh Partizanit vetëm një ditë përpara sfidës me Tiranën, derbin që parashikohet të luhet në Air Albania. Po çfarë parashikon protokolli i hartuar nga ministria e shëndetësisë dhe federata shqiptare e futbollit?

Në rast të një testi pozitiv me COVID-19 te një lojtari ose pjestarë të stafit teknik, nuk duhet të bëhet raportim i menjëhershëm në media por personi i prekur duhet të izolohet menjëherë dhe persona qe ai ka pasur kontakt të duhet të testohen, nuk është e nevojshme që i gjithë ekipi të karantinohet. Autoritetet shëndetësore përkatëse vendosin për karantinat e mundshme në grup. Sidoqoftë, si masë paraprake, klubet duhet të “sigurojnë një numër të konsiderueshëm lojtarësh në finalen e sezonit”. Ekzistojnë gjithashtu kërkesa të hollësishme për karantinën në shtëpi: personi i infektuar duhet të qëndrojë në dhoma të ndryshme nga anëtarët e familjes së tij dhe të flejë në një shtrat të veçantë. Karantina duhet të përfundojë “zakonisht 14 ditë pas shfaqjes së simptomave”.

Kjo do te thotë që pavarësisht përgjigjes së testeve të realizuara nga skuadra e Partizanit atyre u duhet të kenë të gatshëm numrin e nevojshëm të futbollistëve për sfidën derbi edhe pse mund tu duhet të afrojnë skuadrën e Partizani B në Air Albania.