Dyfishohen kontrollet në kolaudimin e automjeteve

Rreth 10 mijë automjete qarkullojnë pa certifikatën e kontrollit teknik. Autoritetet e kanë evidentuar këtë shifër pas analizës së të dhënave elektronike në sistemin e Drejtorisë e Përgjithshme së Transportit Rrugor.

Elton Haxhi, shef i Task-Forcës për Transportin Rrugor: Këto automjete na rezultojnë që janë pa kontroll teknik, që do të thotë është rrezikshmëri në rrugë qarkullimi i tyre, por na rezultojnë edhe automjete të transportit publik pa kontroll teknik.

Duke nisur nga e hëna të gjitha automjetet do të kalojnë në skanerin e task-forcës së transportit rrugor së bashku me policinë rrugore.

“Task-forca është në terren për të kontrolluar linjat qytetëse, ndërqytetëse, transportin e udhëtarëve dhe transportin e mallrave.”

Për të gjitha automjetet të cilat nga verifikimi në terren do të rezultojnë me probleme teknike, do të rikthehen për një kontroll të dyfishtë në kolaudim.

“Masat që do ndërmarrim janë bashkë me policinë e qarkullimit rrugor, mbahet një shënim tek certifikata e kontrollit teknik dhe e detyrojmë mjetin që të shkojë dhe të përsëri sërish kontrollin teknik, plus që do marrë edhe një masë administrative.”

Ky kontroll i dyfishtë i automjeteve synon minimizimin e ndotjes nga automjetet dhe rritjen e sigurisë rrugore. /Monitor