E qeshura e ç’armatos njeriun!…

Nga Evans Drishti

Nisi si një buzagasje e brishtë dhe e zbehtë buzëqeshja e tyre atë ditë. Një bisedë e thurur me një modesti evidente s’është se kishte nisur pikërisht për të realizuar një finalizim të bujshëm, që më vonë do të rënqethte trupin dhe shpirtin e njeriut deri në një kapërcyell të pashmangshëm që vështirë të gjente shtegdalje nga kolapsja dhe metafora mbizotëruese e unit njerëzor.

Erdhi si një bisedë e ngrohtë familjare që në thelb shoqërohej me një lloj sarkazme aspak dashakeqëse, teksa sillte përfytyrime të shumta të natyrave të secilit prej pjesëtarëve, që natyrshëm e ndjenin veten plotësisht të përfshirë në atë atmosferë aq të hareshme që po sillte ajo buzagazje, që sa vinte e bëhej më tendosëse duke përfshirë trupin dhe mëndjen e secilit brënda një hapësire që tentonte të sillej unitare për momentin.

Në fytyrën e secilit shihje vetëm buzëqeshje… Fytyra që shëmbëllenin dhe reflektonin pasione dashamirëse në përpjekje për të fituar zemrat që shfaqeshin si të kishin një mallëngjim të hershëm për një reflektim të tillë. Mëndjet ishin tjetërsuar… Sytë vëzhgonjës përpëliteshin në kërkim të domethënies së asaj hareje aq shumë të kërkuar… Zemrat kishin nisur të rrihnin për ta vënë trupin dhe shpirtin në lëvizje të plotë tashmë… Lotët orvateshin sa lart – poshtë në gjetje të rrugës së shpërthimit të gazit të së qeshurës… Mëndja dhe shpirti tregoheshin bashkëpunues në menagjimin sa më të mirë të kësaj situate të hareshme… Lotët tashmë kishin gjetur udhën dhe ishin shpërfaqur në fytyrat e ndritura duke u dhuruar rrezatime akoma më evidente…

Vështirë të kuptohej i tërë ai gaz si për nga pikënisja ashtu edhe për nga domethënia… Natyrshëm diçka ishte mëse e qartë, një etje e madhe i kishte mbërthyer ato pjesëtarë të asaj familjeje për një të tillë harmoni buzagazase…

E teksa qenë mbërthyer nga të qeshura të tilla aq të zjarrta, një trishtim i fshehur i ngërthente shpirtrat e tyre… Një makthim cinik turbullonte në mënyrë joshëse mëndjet e tyre… Një ngërç rënqethës se diçka e trishtë mund të ngjante pas tërë kësaj hareje… Lotët drithëroheshin teksa mëndja orvatej të gjente pikën dëshpëruese… Të qeshurat nuk e braktisnin lehtë fytyrën shëmbëlltyrë të asaj hareje që rritej e shtohej vrullshëm në përplasje të forta me domethëniet…

U zmbrapsën të gjithë për një çast… U ndalën edhe të qeshurat si të ishin të rraskapitura nga një lodhje tunduese e paimagjinueshme… U vunë në përpjekje për të kuptuar se ç’kishte ngjarë vallë dhe pëse një heshtje kaploi momentin aq të gëzueshëm të minutave të mëparshme. Ishin lodhur… Por nga lodhja erdhi edhe rënkimi…

A nuk na ndodh shpesh të përfshihemi në atmosfera të gëzueshme?… A nuk na ndodh shpesh të vihemi në pozia tunduese të shpirtit deri në përvëlim, madje edhe rënkim?

O njeri!…
Mundohu të jesh i kthjelluar dhe balanco të qeshurën, mos e lodh përtej mundësisë trupin dhe shpirtin tënd deri në çarmatosje të qetësisë dhe të harmonisë së mëndjes dhe shpirtit!…
Fito vetëdijen e kërkuar dhe harmonizo identitetin tënd që të kuptosh qëllimin e ekzistencës!…
Zoti të dhuroi mëndjen që të funksionosh në realitetin ku kërkon të bëhesh pjesë, të dha shpirtin që të reflektosh përpara shijeve dhe kënaqësive të jetës, të dha duart që të veprosh, të dha sytë që të vështrosh dhe të hetosh, të dha veshët që të hulumtosh, e mbi të gjitha të dha përsosmërinë fizike dhe organike që të ekzistosh dhe të lësh gjurmë të virtyteve dhe shërbimeve njerëzore…