Edi Rama: 250 mijë euro ndihmë për Kroacinë pas tërmetit

Kryeministri konfirmon ndihmën për Kroacinë: “Sapo e firmosa”

Kryeministri Edi Rama njofton se Shqipëria do të ndihmojë Kroacinë pas tërmetit të djeshëm me 250 mijë euro.

Rama thotë se sapo e ka firmosur këtë vendim, ndërsa ka publikuar dhe një foto:

Sapo nënshkrova dekretin e Qeverisë së Shqipërisë për të dhuruar 250 mijë EURO Kroacisë për të ndihmuar rilindjen e Petrinja pas tërmetit shkatërrues! # Kroacia është një shembull i rezistencës dhe një model për ne në transformimin e saj të mahnitshëm në një vend krenar të BE-së

Kujtojmë se të paktën shtatë persona kanë humbur jetën në tërmetin me magnitudë 6.4 që goditi Kroacinë qendrore të martën. Ekipet e shpëtimit kaluan gjithë natën në rrënojat e ndërtesave të dëmtuara në kërkim të të mbijetuarve.

Një 12 vjeçare humbi jetën në Petrinja, pesë të tjerë në qytetin e afërt Glina dhe një viktimë e shtatë u gjet nën rrënojat e një kishe në Zazina. Rreth 20 persona janë të plagosur ndërsa dëmet materiale janë të mëdha.

Kryebashkiaku i Petrinjës tha se thuajse gjysma e qytetit ishte shkatërruar dhe njerëz janë nxjerrë nga rrënojat. Shumë prej banorëve kanë qenë të frikësuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre gjatë natës si pasojë e dridhjeve të tokës që kanë pasuar dhe kanë fjetur në makinat e tyre apo kanë qendruar tek të afërm në zona të tjera. Rreth 200 vetë u strehuan në garnizonet ushtarake.

Mëngjesin e të mërkurës në fakt, Kroacia u godit edhe nga të paktën tre tërmete të tjera me epiqendër po në zonën e Petrinjës. Më i forti ishte i mangnitudës 4.8. Tërmetet, sipas shërbimit sizmiologjik kroat u regjistruan në një thellësi prej dhjetë kilometrash.