Edi Rama: Ligj të ri për të frenuar dhunën në familje

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se shumë shpejt qeveria shqiptare do të miratojë një ligj të ri që do të parashikojë masa të rrepta për dhunuesit dhe autorët e dhunës në familje

Në Tiranë ka filluar forumi rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi – Zbatojmë normat, ndryshojmë mendësitë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm hapjen e forumit dyditor ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, drejtoresha rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë, Alia El-Yassir, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ambasadori i Bashkimit Europian (BE) në Tiranë, Luigi Soreca, përfaqësues të organizatave kundër dhunës në familje, si dhe të tjerë.

Në fjalën e tij në forum, Rama theksoi se Shqipëria është vendi i 34-t përsa i përket nivelit të barazisë gjinore.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë përpara dhe sot kemi 50 për qind të këshillave bashkiakë, të cilët janë me përfaqësi grash dhe kemi pasur sukses të arrinim një ekuilibër perfekt ndërmjet përfaqësuesve vendorë në këshillat bashkiakë dhe në qeveri kemi më shumë gra se sa burra. E gjitha kjo është një meritë. Unë mendoj se jemi në vendin e duhur deri tani, por krahasuar vetëm nga pikënisja, por jo atje ku duhet të mbërrijmë”, u shpreh Rama.Rama: Ligj të ri për të frenuar dhunën në familje Rama: Ligj të ri për të frenuar dhunën në familje Rama: Ligj të ri për të frenuar dhunën në familje

Sipas Ramës, shumë shpejt qeveria shqiptare do të miratojë një ligj të ri që do të parashikojë masa të rrepta për dhunuesit dhe autorët e dhunës në familje.

“Nëse shohim përqindjen e grave që fitojnë raste në gjykata është për të ardhur turp. E rëndësishme është që të shkojmë në një nivel më tej, më lart në kuadrin ligjor dhe me instrumentet që luftojnë dhunën në familje. Shumë shpejt do dalim me një propozim, që do jetë shumë i rreptë sa i përket dhunuesve dhe autorëve të dhunës në familje. Burrat duhet të marrin përgjegjësi. Dhuna ndaj grave është një krim i rëndë. Shumë shpejt, një muaj ose një muaj e gjysmë do të dalim me një propozim”, tha Rama.

Në fjalën e saj Alia El-Yassir, u shpreh se gjatë këtij forumi rajonal presin diskutime të gjalla, të cilat do të çojnë në rezultate konkrete në jetën e grave dhe burrave në vendet e rajonit.

“Që të garantohen rezultate konkrete na duhen masa konkrete në dy drejtime. Së pari në bashkëpunimin ndërsektorial dhe ndëragjencior për të adresuar nevojat e të mbijetuarave dhe sigurimi dhe ofrimi e shërbimeve për këto të mbijetuar të dhunës seksuale. Unë e di që barëzia gjinore është një mundësi. Jam e bindur që nëse ne vendosim të gjithë fuqitë tona për të fuqizuar gratë dhe avancuar axhendën e barazisë gjinore ne do të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha El-Yassir.

Në konferencë mbajtën fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.