Edy Reja bën disa ndryshime në Kombëtare, pritet Shqipëri sulmuese ndaj San Marinos

Kombëtarja shqiptare pritet të jetë ofensive sonte ndaj San Marinos. Trajneri Edy Reja ka shansin edhe të eksperimentojë deri diku dhe t’u japë disa minuta atyre që kanë luajtur pak.

Thomas Strakosha do të jetë në portë. Një tjetër risi mund të jetë ajo e Enea Mihajt, për t’i dhënë shanset që këtë sezon të zhvillojë ndeshjen e parë. Do të sakrifikohet një mes Gjimshitit dhe Ismajlit. Në qendër pritet Kumbulla.

Nedim Bajrami pritet të dalë në të djathtë të sulmit dhe Uzuni në të majtë, me Manajn në qendër të repartit të avancuar. Në mesfushë, Bare dhe Laçi duhet të bëjnë rregullatorin e reparteve në të dy fazat e lojës.

Nga krahët, si pistonat që do të bëjnë të dy linjat, vendosen Doka në të djathtë dhe Hysaj në të majtë. Kapiteni këtë herë vjen në versionin e të besuarit të Maurizio Sarrit, që e cakton shkodranin në të majtë të mbrojtjes.

Sokol Cikalleshi ndjen shqetësime në gjurin e majtë, ndërsa as Bekim Balaj nuk është në formën e tij më të mirë. Për Brojën, një tjetër ndeshje në pritje, ku gjasat janë që të ketë sërish shanse nga stoli.

Me siguri do të ketë minuta në pjesën e dytë, për të treguar edhe njëherë se çfarë është i aftë të bëjë. Fitorja është detyrë ndaj San Marinos, tifozët presin shumë gola. Sfida kualifikuese e Botërorit do të luhet në orën 20:45 në Elbasan Arena.