Ejani të ngrejmë zërin kundër paturpësisë!…

Nga Evans Drishti

Në mbështetje të plotë të nismës që studiuesi i nderuar Dr Fabian Zhilla ndërmori pak ditë më parë nëpërmjet një peticioni për të luftuar programet “Reality show” që prezantojmë “të pamoralshmen” në vend të “moralit” në emër të “lirisë së veprimit” dhe “lirisë së mendimit” e aq më keq në emër të “emancipimit”…

Në familjen tonë shqiptare ka ekzistuar përherë etika e komunikimit dhe e sjelljes si:

  • S’mund të ngrije zërin ndaj nënës dhe babait apo ndaj një më të madhi në moshë
  • S’mund të uleshe këmbë mbi këmbë ndaj një më të moshuari
  • Në çdo moment hyrje apo dalje nga shtëpia s’mund të mungonin frazat “Mirëmëngjesi”, “Mirëdita”, “Mirëmbrëma”, “Përshëndetje”, “Si jeni”, “Të lumshin duart”, “Punë e mbarë” …
  • S’mund të qëndroje shtrirë me këmbë të zgjatura përpara një më të madhi në moshë qoftë ky prindi apo dikush tjetër
  • Çdo bisedë zhvillohej brënda një linje etike të qartë dhe me një buzëqeshje fine
  • S’mund të bëhej fjalë që i madhi në moshë t’i shërbente të voglit, por e kundërta i vogli duhej ti shërbente të madhit, qoftë edhe me një gotë ujë
  • S’mund të bëhej fjalë që më i vogli të mos ngrihej në këmbë kur vinte në shtëpi prindi apo gjyshërit, gjithnjë në respekt të figurës së tyre…
  • S’mund të bëhej fjalë të kundërshtoje fjalët e prindit apo të një të rrituri me reagime të tilla si: “Kush je ti?!”, “Çfarë di ti?!”, “Ju s’kuptoni asgja!!”, “Më lër rahat se e di unë!!”…

Sa keqardhje në fakt që në shekullin e 21’ dhe në vitin 2022 ne sot flasim dhe diskutojmë pikërisht për të tilla norma që përbëjnë thelbin e një strukture familjare që në fakt është dhe duhet të jetë boshti edukativ i një individi.

Në sistemin e mëparshëm në institucionet e sistemit parauniversitar ka ekzistuar një lëndë mësimore që quhej “Edukata morale dhe shoqërore” në të cilën trajtoheshin pikërisht çështjet e etikës dhe të komunikimit qoftë në ambientin familjar qoftë në institucione të ndryshme apo edhe në shoqëri.

Për shkak të një përmbajtjeje tejet “arrogante” jashtë kornizave që ofron identiteti dhe karakteri i fortë i një njeriu të emancipuar që ofrojnë pikërisht programet e këtyre niveleve, por jo vetëm, rrjetet sociale etj brezi i ri i sotëm brymoset me një “kulturë” që s’është aspak shqiptare as për nga gjaku as për nga identiteti.

I riu i sotëm nën shoqërinë e ngushtë edhe të vetë familjarëve “po edukohet” me një frymë të tillë aspak etike dhe njerëzore duke u veshur me një tjetër këllëf që në vetvete përmban veset më të ulëta njerëzore që në thelb nuk njohin “turp”in.

E në raste të këtilla s’mund të presësh që ky i ri adoloshent të skuqet përpara një sjelljeje të tillë, ti skuqet fytyra në përballje me këtë paturpësi, kjo për të vetmen arsye se këtij të riu nuk doli kush ti tregonte se cilat janë “normat e sjelljes dhe të komunikimit” me tjetrin në shoqërinë ku jeton.

O ju prindër!

Zgjohuni nga gjumi dhe mos mbështesni sjelljet dhe veprimet e pahijshme të fëmijëve tuaj me justifikimin “Janë të rinj dhe nuk i dinë”, pasi është pikërisht FAJI JUAJ që nuk ua mësoni këto parime këtij brezi dhe nuk ua bëni të qartë normat që duhet të respektojë ky i ri adoloshent kudo të ndodhet.

Zgjohuni nga gjumi dhe mësojuani brezit të ri, fëmijëve tuaj ç’kuptim dhe ç’peshë ka dhe duhet të ketë “TURP”i për një individ që kërkon të quhet “NJERI”

Zgjohuni nga gjumi dhe mos u pajtoni me ashpërsinë dhe agresivitetin e sjelljeve të pahijshme apo të një komunikimi aspak etik që shfaq fëmija juaj adoloshent, pasi një reagim i pahijshëm sot sjell pasoja fatale nesër për ju dhe shoqërinë mbarë.

Zgjohuni nga gjumi dhe mos e zhvishni fëminë tuaj në emër të “emancipimit” apo që juve po ju pëlqen më së tepërmi në emër të “modernizmit”, pasi s’mund dhe s’duhet të jetë lakuriqësia apo vrazhdësia  formë emancipuese e një brezi që kërkon të zhvillohet dhe ecë përpara.

Zgjohuni nga gjumi dhe kthjellohuni në atë se çfarë duhet vërtet t’u ushqeni fëmijëve tuaj, pasi nuk është thjesht “ushqimi” i përditshmërisë apo “veshja” që ju bën të quheni vërtet “prindër”, përkundrazi është ushqimi shpirtëror dhe ideor që ju bën juve dhe fëminë tuaj më të fortë dhe të suksesshëm.

Zgjohuni nga gjumi dhe mos u pajtoni të uleni bashkë me fëminë tuaj në familje të shihni programet që ushqejnë “poshtërsi” dhe “paturpësi”, ku ju vetë rrini e qeshni duke përmendur vetëm frazën “sa të marrë që janë!…” e ndërkohë pajtoheni dhe bashkoheni plotësisht me këtë marrëzi dhe paturpësi duke menduar se kjo ju bën më të “emancipuar”

Zgjohuni nga gjumi dhe “guxoni” të komunikoni dhe të flisni me fëminë tuaj për artin, kulturën, sportin, arsimin, teknologjinë dhe anët pozitive të saj, historinë, gjeografinë, por mbi të gjitha ju lutemi flisni me të për “NORMAT E QYTETARISË”…

Zgjohuni nga gjumi dhe “guxoni” t’i flini fëmijës për intelektualë dhe personazhe që kanë lënë gjurmë në jetën e secilit prej nesh, që na kanë prezantuar vlera morale dhe njerëzore,

Zgjohuni nga gjumi dhe flisni me fëminë tuaj për historitë dhe ndodhitë e brezave të mëparshëm që janë dhe mbeten frymëzuese edhe për kohët e sotme…

Ta dini prindër se të gjitha këto jeni JU të parët që duhet TI DINI, TI KUPTONI, TI PRANONI, TI GJYKONI, TI ARSYETONI e më pas t’ua transmetoni edhe fëmijëve tuaj, pasi jeni JU modeli i parë prej të cilit fëmija gjen mbështetje dhe përkrahje, jeni JU QË DUHET TA NDALONI, t’u thoni JO këtyre paturpësive si në zhargonin e përditshëm ashtu edhe në sjellje…

Jeni ju ata që duhet të dini dhe të kuptoni se ç’është vërtet EMANCIPIMI dhe MODERNIZIMI

 Prandaj mbart një rëndësi të veçantë ky peticion dhe të tilla shkrime thelbësore në mbështetje të kësaj nisme si në aspektin kontekstual ashtu edhe në atë vizionar për të kuptuar një herë e mirë “prindërit” në radhë të parë dhe natyrshëm ky brez i ri që vlera e identitetit njerëzor dhe bërthama e potencialit të karakterit njerëzor s’mund të ndërtohen mbi bazën e “antivlerës” duke e quajtur atë “kulturë moderne” apo “emancipim” në emër të lirisë dhe integritetit.

Prandaj herë pas here duhen bërë të qarta normat familjare, institucionale dhe shoqërore për të luftuar me forcë “arrogancën” që sjell banalitetin, vrazhdësinë, hiperaktivitetin e pakontrolluar, shkujdesjen dhe shpupurishjen emocionale, deformimet dhe shformimet psikologjiko-ideore me të cilat i riu apo e reja e sotme “mendon” dhe “gjykon” se mbron veten dhe “paprekshmërinë” apo “imunitetin” e vet.