Deklaratat e Yuri Kim/ Berisha: Flet si guvernatore, nuk takohet dot me mua pa kërkuar falje publike

“Po flet si guvernatore”, kështu u përgjigj Berisha ndaj deklaratës së ambasdores amerikane Yuri Kim ku kjo e fundit deklaroi se nuk takohe me persona të shpallur ‘non-grata’ dhe se njihte Alibeajn si kryetar të PD.

Mes të tjerash, ish kryeministri, Sali Berisha tha se Yuri Kim duhet të kërkonte falje publike ndaj demokratëve, ndryshe nuk do pranonte kurrë një takim me të.

Sali Berisha: Ka disa pasaktësi jo të vogla. Së pari, zotimi i ambasadores se zyrtarët amerikanë dhe ajo personalisht nuk takohen me persona të dezinjuar është një deklaratë sikur ta kishte bërë Edi Rama. E them këtë sepse është gënjeshtër jo e vërtetë.

Zyrtarët amerikanë janë takuar edhe me Dodikun. Cila qendron këtu? Kjo është një gjë e pavërtetë. PD mbetet e vendosur për të zhvilluar marrëdhëniet shumë të mira, miqësore dhe të gjithëanshme me SHBA-të. Ato janë aksioneri kryesor i sigurisë së botës së lirë. Nuk bëhet fjalë këtu për marrëdhënie me George Sorosin.

Non grata do jetë vendimi i qeverisë së PD për Sorosin. Në rastin konkret, ambasadorja që flet si guvernatore, siç e keni parë, shkon në një super harmoni me elementë të diskredituar kombëtarisht dhe botërisht si Edi Rama, Taulant Balla etj. Këtu erdhi në një udhëtim sekretari Mike Pompeo. Ishte lënduese për reputacionin e miqësisë mes dy vendeve kur atë e pritën dy mafiozë të damkosur, Taulant Begojaris me Alket Hysenin. Unë mendoj se zonja ka përgjegjësi. Hysenin e kanë larguar nga partia si pjesë e mafias së pronave në Sarandë. Kjo e detyroi sekretarin që në njoftimin e tij t’u vërë vizë fare. Tha takova vetëm përfaqësues të opozitës iraniane. Përveç kësaj u bë e famshme ajo fraza e barit, Enver Hoxha u thoshte shqiptarëve, Enver Hoxha “bar do hamë dhe imperializmit amerikan nuk i dorëzohemi, ambasadorja u tha demokratëve “Mos hani barë dhe të votoni Sali Berishën”. Këtu i ka prishur marrëdhëniet me Sali Berishën. Pa kërkuar ndjesë publike ndaj demokratëve, nuk takohet ajo me Berishën.