Ekonomia botërore do të rritet 5.7% këtë vit

Ekonomia globale është në rrugën e duhur për t’iu rikthyer rritjes me shpejtësi, por është ende shumë herët që qeveritë dhe bankat qendrore të tërheqin mbështetjen për ekonomitë e tyre, pavarësisht rritjes së inflacionit, tha OECD në përditësimin e saj të fundit të perspektivës ekonomike.

Pas një rënie pre 3.4% vitin e kaluar për shkak të pandemisë së Covid-19, ekonomia botërore do të rritet këtë vit me 5.7%, tha Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), duke ulur parashikimin e saj me 0.1 pikë përqindje.

Vitin e ardhshëm, ekonomia globale do të rritet me 4.5%, 0.1 pikë përqindje më lartë se parashikimi në muajin maj.

Rimëkëmbja e shpejtë e ka kthyer Prodhimin e Brendshëm Bruto global në nivelet e para-pandemisë, megjithëse aktiviteti mbetet mbrapa në shumë vende në zhvillim, ku normat e vaksinimit mbeten të ulëta, tha OECD.

I nxitur nga rimëkëmbja e kërkesës për mallra dhe tensionet e zinxhirit të furnizimit, inflacioni pritet të arrijë kulmin deri në fund të vitit në 4.5% mesatarisht në ekonomitë kryesore të G20, para se të lehtësohet në 3.5% deri në fund të vitit 2022.

OECD tha se bankat qendrore globale duhet të përcaktojnë strategji të qarta për përballimin e rreziqeve të inflacionit, pasi ekonomia botërore po përjeton rritje më të shpejtë se sa pritej mes një rimëkëmbjeje të pabarabartë nga pandemia.

Ajo u bëri thirrje qeverive të qëndrojnë fleksibile me mbështetjen e tyre financiare për ekonomitë e tyre dhe të shmangin tërheqjen e saj për sa kohë që perspektiva afatshkurtër mbetet në tymnajë.

Ekonomia amerikane parashikohet të zgjerohet me 6% këtë vit, me 1 pikë përqindje më pak se në maj, ndërsa parashikohet 3.9% në 2022.

Ekonomia kineze është parashikuar në 8.5% këtë vit dhe 5.8% në 2022, të dyja të pandryshuara nga vlerësimet e mëparshme.

Edhe ekonomia e Eurozonës ka shenja pozitive. OECD ngriti parashikimin këtë vit me një pikë përqindjeje të plotë në 5.3% dhe po ashtu rriti vlerësimin e tij të vitit 2022 me 0.2% pikë përqindjeje në 4.6%./ Reuters