Ekonomia më e madhe e Europës po shkon drejt recesionit kronik

“Problemet në sektorin e manifakturës vazhdojnë dhe rënia e porosive të reja rrit ndjeshëm rrezikun e recesionit për ekonominë gjermane”, ka deklaruar analisti Thomas Gicel.

Rënia e ndjeshme e kërkesës për produktet gjermane ka rritur frikën që ekonomia më e madhe e Europës të pësojë recesion në tremujorin e tretë të vitit. Përveç se nga rënia e kërkesës, tkurrja e ekonomisë gjermane i detyrohet edhe politikës proteksioniste të presidentit Donald Trump dhe daljes së planifikuar të Britanisë nga BE-ja.

Ekonomia më e madhe e Europës mund të hyjë në recesion në tremujorin e tretë të vitit, për shkak se dobësimi i kërkesave të jashtme për produktet gjermane ka çuar në një rënie të ndjeshme të prodhimit industrial.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, ekonomia gjermane, e bazuar kryesisht tek eksportet, po vuan si pasojë e rritjes së ngadaltë globale dhe pasigurisë ekonomike, e shkaktuar nga politikat e presidentit amerikan Donald Trump dhe shtyrja e vazhdueshme e daljes së Britanisë nga BE-ja.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Ekonomisë në Berlin, kërkesa për produktet gjermane ra me 2.7 për qind në periudhën Korrik-Gusht, e nxitur nga rënia e kërkesave nga vendet që janë jashtë zonës euro.

“Problemet në sektorin e manifakturës vazhdojnë dhe rënia e porosive të reja rrit ndjeshëm rrezikun e recesionit për ekonominë gjermane”, ka deklaruar analisti Thomas Gicel.

Edhe prodhimi i brendshëm gjerman u kontraktua me 0.1 për qind në tremujorin e dytë, pikërisht për shkak të dobësimit të eksporteve, shoqëruar me rënien e shitjeve jashtë vendit, edhe për shkak të rënies së kërkesave nga Britania dhe Kina.

“Rreziku është i madh që rritja negative të regjistrohet edhe në tremujorin e tretë”, shtoi Gicel.

Ministria e Ekonomisë deklaroi se porositë e reja për produktet gjermane kishin patur një fillim të dobët në tremujorin e tretë dhe parashikimet për sektorin industrial janë gjithashtu të zymta./ABC News