Ekspertët: Norma e fitimit 38%! Autoritetet të ndërhyjnë!

Ekspertët: Norma e fitimit 38%! Autoritetet të ndërhyjnë!

Koncesionari i Aeroportit të Rinasit e ka shlyer të gjithë investimin që ka bërë në pistën e aeroportit,  infrastrukturën ajrore dhe rrugët ndihmëse që në 4 vitet e para të punës.

Pas 2008-s çdo para që ka fituar ka shkuar në arkën personale të aksionerëve të tij. Sipas llogaritjeve të bëra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rezulton se prej 2005-s deri më sot, ky koncesion ka realizuar 130 milionë Dollarë fitime neto, ku nëse i zbritet investimi fillestar dhe taksat që ka derdhur në buxhet, në xhepat e koncesionarit janë mbledhur plot 75.6 milionë Dollarë.

“Autoritetet duhet të kishin ndërhyrë me kohë për këtë prishje të balancës ekonomike që është krijuar”, thotë Selami Xhepa, profesor i ekonomisë.

Në një shërbim publik, siç është operimi i aeroportit të vetëm në vend, nuk është normale që norma e fitimit të jetë 38.3%, thotë Selami Xhepa, siç rezultoi vitin e shkuar. Xhepa thotë se një biznes që ecën mirë ka një normë fitimi 10%, ndërsa vetë edhe bankat e kanë poshtë kësaj përqindje.

“Nuk ka biznes të tillë që të të sigurojë norma fitimi kaq të mëdha, vetëm koncesionet dhe kontrata si kjo e aeroportit ta sjellin, edhe bankat e poshtë 10%”.

Për ekonomistët është e domosdoshme që situata jo-logjike e fitimeve të koncesionarit të përmbyset, ku patjetër qeveria duhet të kërkojë ulje të tarifave që u vendosen kompanive të fluturimit çka bën që në Shqipëri të paguhen biletat më të shtrenjta në rajon dhe Europë.

“Kemi tarifat më të shtrenjta, situata duhet të përmbyset sepse nuk ka logjikë ekonomike, duhet bërë rishikim i pozicionit ekonomik të koncesionit”.

Sipas përpunimit të të dhënave nga Televizioni Klan, rezulton se ritmi i fitimeve në vitet e para të zbatimit të kontratës koncesionare ka qenë normal, kjo edhe për shkak edhe të numrit të ulët të fluturimeve, ndërsa pas 2009-s fitimet janë dyfishuar, por çmimet që aeroporti ka vendosur nuk janë ulur!

Burimi:Tv Klan