Ekzekutohet në derën e shtëpisë 40-vjeçari në Durrës

Feriz Bardhi u qëllua me 10 plumba kallashnikovi

Një 40-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në Durrës në kohën që po dilte nga banesa e tij. Sipas policisë viktimë ka mbetur Feriz Bardhi, që është qëlluar me të paktën 10 plumba automatiku nga persona të pa identifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 12:55 minuta, në lagjen 18 të qytetit të Durrësit.

Mësohet se 40-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë, por pasi është transportuar në spital ka humbur jetën pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë stadiumit të qytetit bregdetar, atje ku banonte edhe viktima.

“Sipas dëshmitarëve të ndodhur në vendngjarje, autorët e kanë thirrur viktimën dhe në kohën që ka dalë nga banesa kanë qëlluar me breshëri automatiku”.

Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në vendin ku u krye edhe ekzekutimi për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. 40-vjeçari nuk ishte person me precedent penal, por njihej si konfliktual në zonën e Shën Avlashit atje ku ai ka jetuar më herët. Ndërkohë viktima është arrestuar në 2012-ën në Itali, pasi iu gjet një sasi prej 700 gramë kokainë.