Erdoğan bën thirrje për qasje të barabartë në vaksina

Duke folur në Samitin Global të Shëndetit të organizuar nga Italia, presidenti turk Erdoğan tha se 80 për qind e vaksinave janë siguruar nga vendet me të ardhura të larta ose të mesme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi “padrejtësitë e rënda” në marrjen e vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19), duke u kërkuar udhëheqësve botërorë të sigurojnë qasje të drejtë në vaksina për të gjithë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Samitin Global të Shëndetit të organizuar nga Italia, Erdoğan tha se 80 për qind e vaksinave janë siguruar nga vendet me të ardhura të larta ose të mesme.

“Përderisa një shumicë e popullsisë në vendet e zhvilluara është vaksinuar me të paktën një dozë, kjo normë nuk ka arritur as 1 për qind në Afrikën Nën-Sahariane”, tha ai, duke shtuar: “Ne mbështesim përpjekjet e institucioneve financiare shumëpalëshe dhe iniciativat për qasje të drejtë në vaksina”.

Duke theksuar se Turqia është përpjekur të ndajë vaksinat që ka me vendet e tjera, Erdoğan tha: “Sapo të jetë gati, ne do të ofrojmë vaksinën tonë të zhvilluar në mënyrë autoktone në të mirë të qytetarëve tanë, si dhe të gjithë njerëzimit”.

Presidentu turk tha se vendi i tij deri më tani ka dërguar pajisje mjekësore në 158 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare.

Ai paralajmëroi kundër “mureve të reja dhe llojit të ri të diskriminimit midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve”.

“Nuk ka asnjë justifikim për asnjë vend që është anëtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë të refuzojë të pranojë një vaksinë të miratuar nga ky organ”, shtoi ai.