Erdoğan dhe Merkel mbajnë një takim virtual me kreun e BE-së

Erdoğan përmendi vlerësimin e tij për përpjekjet e ndërmjetësimit të Berlinit, si dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së një konference rajonale mbi Mesdheun Lindor me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, përfshirë edhe Qipron Turke

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë zhvilluar një takim virtual ku janë përqëndruar në tensionin e fundit në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Komunikimeve e presidencës turke njoftoi se në takim presidenti Erdoğan përmendi vlerësimin e tij për përpjekjet e ndërmjetësimit të Berlinit, si dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së një konference rajonale mbi Mesdheun Lindor me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, përfshirë edhe Qipron Turke.

Erdoğan tha se hapi i Greqisë do të jetë i rëndësishëm për mënyrën se si do të vazhdojë marrëveshja për të rigjallëruar kanalet e dialogut.

Gjatë takimit po ashtu u theksua se Turqia dhe Greqia janë gati të fillojnë bisedimet eksploruese.

Të pranishëm në takimin e nivelit të lartë ishin edhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, kreu i Organizatës Kombëtare të Intelegjencës (MIT), Hakan Fidan, drejtori i komunikimit, Fahrettin Altun, zëdhënësi presidencial, İbrahim Kalın, si dhe shefi i kabinetit, Hasan Doğan.

Greqia ka kontestuar kërkimin e Turqisë për energji në rajon, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar të bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.

Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije të shpimit për të kërkuar energji në ndarjen e saj kontinentale, duke theksuar se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.

Për të reduktuar tensionet, Turqia ka bërë thirrje për dialog për të garantuar ndarjen e drejtë të burimeve të rajonit.

BE po ashtu bëri thirrje për negociata mes palëve. Liderët e BE-së do të diskutojnë konfliktin dhe marrëdhëniet e bllokut me Turqinë gjatë samitit të tyre të jashtëzakonshëm në Bruksel këtë javë.

Në mënyrë që të përgatitet për takimin e liderëve, Parlamenti Evropian këtë javë do të miratojë një rezolutë mbi këtë temë.