Erdoğan: Diktati në industrinë e mbrojtjes është i papranueshëm

"Asnjë vend nuk mund të përcaktojë hapat që do të ndërmarrim në industrinë tonë të mbrojtjes. Kjo varet tërësisht nga vendimi ynë që do të merret", tha Presidenti i Turqisë

Turqia nuk mund të pranojë kurrë diktatin e askujt mbi industrinë e mbrojtjes së vendit, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Asnjë vend nuk mund të përcaktojë hapat që do të ndërmarrim në industrinë tonë të mbrojtjes. Kjo varet tërësisht nga vendimi ynë që do të merret”, tha Erdoğan pas namazit të xhumasë në Stamboll.

Si një vend i NATO-s, theksoi ai, Turqia nuk mund të pranojë kurrë diktimin nga partnerët e saj në bllok.

Në prill të vitit 2017, kur përpjekjet e zgjatura për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore nga SHBA-ja rezultuan të pasuksesshme, Turqia nënshkroi marrëveshje me Rusinë për të blerë sistemin S-400.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur kundërshtim për vendosjen e këtij sistemi, duke pretenduar se ai do të jetë i papajtueshëm me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozonte avionët F-35 ndaj manipulimit të mundshëm rus.

Turqia, megjithatë, ka theksuar se sistemet S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk përbëjnë asnjë kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.

Zyrtarët turq kanë propozuar vazhdimisht një grup pune për të shqyrtuar çështjen e pajtueshmërisë teknike.

“Megjithëse kemi paguar një shumë të madhe parash, avionët F-35 fatkeqësisht nuk na janë dhënë akoma. Ky sigurisht është një gabim shumë serioz që SHBA-ja e bëri si një vend aleat në diplomacinë ndërkombëtare”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se shpreson që SHBA-ja do të ndërmarrë hapa pozitivë në këtë drejtim pas kalimit të presidencës te Joe Biden.