Erdoğan: Ekonomia e Turqisë është “në një periudhë të fuqishme të rimëkëmbjes”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, thotë se rritja prej 4,5 për qind e Turqisë në tremujorin e parë është prova "më e madhe" e fuqisë dhe potencialit të ekonomisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi është në një “periudhë shumë të fuqishme të rimëkëmbjes” bazuar në të dhënat paraprake ekonomike për muajin qershor, raporton Anadolu Agency (AA).

Indeksi i besueshmërisë ekonomike të Turqisë u rrit ndjeshëm në 73,5 në muajin qershor, njoftoi të hënën autoriteti statistikor i vendit, duke shtuar se numri shënoi rritje për 19,1 për qind, nga 61,7 sa ishte muajin e kaluar, pasi Turqia lehtësoi masat e kufizimeve që ndërlidheshin me pandeminë e koronavirusit.

“Rritja prej 4,5 për qind e Turqisë në tremujorin e parë është prova më e madhe e fuqisë dhe potencialit të ekonomisë”, tha presidenti Erdoğan pas një takimi të kabinetit në Ankara.

Ai theksoi se Turqia do të bëhet një nga “vendet-yje” të botës që riformon veten pas pandemisë COVID-19.

Erdoğan gjithashtu theksoi se Turqia synon të ulë numrin e rasteve me COVID-19 dhe vdekjeve në zero.Erdoğan: Ekonomia e Turqisë është "në një periudhë të fuqishme të rimëkëmbjes"

“Ne jemi të vendosur ta largojmë vendin tonë nga grupi i vendeve në rrezik”, tha ai.

Në lidhje me masat për të ndihmuar mbrojtjen e publikut nga rreziku i virusit, Erdoğan njoftoi gjithashtu se qeveria zgjati përfitimin e ndihmave për një muaj më shumë.

“Dëshira jonë e vetme nga opinioni në këtë proces është që ata të na mbështesin duke ndjekur rregullat, duke u kujdesur për punët e tyre, prodhimtarinë dhe duke mbrojtur shtetin e tyre”, tha Erdoğan.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Turqi ka arritur në 198.613, duke përfshirë 171.809 të shëruar dhe 5.115 të vdekur.

Që nga shfaqja e saj në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, pandemia ka marrë më shumë se 500 mijë jetë njerëzish në të gjithë botën.

Më shumë se 10 milionë raste janë raportuar në të gjithë botën ndërsa mbi 5.2 milionë pacientë janë shëruar, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA.