Erdoğan: Gjatë 8 viteve të fundit në Detin Mesdhe humbën jetën 25 mijë refugjatë

Erdoğan tha se ata njerëz u nisën me një shpresë për të ardhme të sigurt, megjithatë, theksoi ai, shumica e udhëtimeve përfunduan me vdekje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se gjatë tetë viteve të fundit në ujërat e Mesdheut kanë humbur jetën 25 mijë refugjatë, kryesisht gra dhe fëmijë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në tetë vitet e kaluara, 25 mijë njerëz, shumica e tyre gra dhe fëmijë, vdiqën në ujërat e Mesdheut”, tha përmes video-konferencës presidenti Erdoğan në ceremoninë e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Migracionit.

Erdoğan tha se ata njerëz u nisën me një shpresë për të ardhme të sigurt, megjithatë, theksoi ai, shumica e udhëtimeve përfunduan me vdekje.

“Fati i rreth 10 mijë fëmijëve sirianë, që kërkuan azil në Evropë, është i panjohur”, tha Erdoğan.

Me Anadolu Agency (AA) si partner i saj global i komunikimit, festivali i filmit mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme nën kujdesin e Presidencës Turke.