Erdoğan: Inteligjenca turke solli në Turqi terroristin e rangut më të lartë të FETO-s në Azinë Qendrore

Presidenti Erdoğan tha se përfshirë Orhan İnandı, terroristi i fundit i kapur në Azinë Qendrore, mbi 100 terroristë të FETO-s janë sjellë nga jashtë që prej grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi​​​​​​

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se një terrorist i rangut të lartë të organizatës terroriste FETO në Azinë Qendrore është kapur jashtë vendit në një operacion nga inteligjenca turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një takimi mbi 3-orësh të kabinetit në kompleksin presidencial në Ankara, presidenti Erdoğan tha se përfshirë Orhan İnandı, terroristi i fundit i kapur në Azinë Qendrore, mbi 100 terroristë të FETO-s janë sjellë nga jashtë që prej grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, si pasojë e të cilës humbën jetën 251 persona dhe u plagosën 2.734 të tjerë.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht të ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit.

Presidenti Erdoğan shtoi se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për të luftuar dhe eliminuar grupit terrorist FETO, si dhe PKK/YPG-në terroriste dhe DEASH-in.

“Si rezultat i operacioneve të suksesshme anti-terroriste të Turqisë, për herë të parë në historinë e saj, të ashtuquajturit udhëheqës të lartë të PKK-së nuk mund të lëvizin, mbledhin ose menaxhojnë organizatën në Irakun e veriut”, tha Erdoğan, duke iu referuar një rajoni afër kufirit turk ku grupi terrorist shpesh planifikon sulme.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Pandemia COVID-19

Për luftën e Turqisë kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), presidenti Erdoğan u bëri thirrje të gjithëve që të vaksinohen për të mbrojtur veten, si dhe të dashurit e tyre.

Ai theksoi se derisa të arrihet imuniteti i tufës, të gjithë duhet të ndjekin rregullat e mbajtjes së maskës, distancën shoqërore dhe rregullat e higjienës.

Parashikohet një rritje ekonomike prej 20 për qind

Më tej, presidenti Erdoğan tha se vlerësimet për tremujorin e dytë tregojnë se produkti i brendshëm bruto (PBB) i Turqisë në vitin 2021 do të rritet me një normë vjetore prej rreth 20 për qind.

Ai tha se vëllimi i eksportit i Turqisë u rrit 40 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Numri i përgjithshëm i eksporteve të Turqisë parashikohet të rriten mbi 200 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2021, shifër e cila, siç tha presidenti turk, është e para në historinë e vendit.

Erdoğan po ashtu tha se Turqia rriti numrin e punësimeve me 2.8 milionë që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë COVID-19 në prill të vitit 2020, duke kompensuar vendet e humbura të punës.

“Pagesat e mbështetjes së drejtpërdrejtë që nga fillimi i pandemisë kanë tejkaluar 150 miliardë lira (17.3 miliardë dollarë). Ne presim që kjo shumë të arrijë 3,5 për qind të PBB-së tonë deri në fund të këtij viti”, tha Erdoğan.

Më tej, ai po ashtu tha se vendi i tij nuk do të lejojë që përpiqen t’i rrisin çmimet e mishit, qumështit dhe grurit për shkak të kushteve të pandemisë dhe thatësirës.

Ai po ashtu njoftoi se taksa e të ardhurave të korporatave do të ulet në 20 për qind duke filluar nga viti 2023.

“Luftimi i inflacionit të lartë kërkon punë ekipore. Banka Qendrore e jonë ka një qasje vendimtare për ta zgjidhur këtë”, u shpreh Erdoğan.