Erdoğan iu drejtua ushtarëve turq që gjenden në Azerbajxhan për të shërbyer në Qendrën e Përbashkët

"Prania juaj atje është një shenjë nderi që tregon pikën ku ka arritur marrëdhënia mes vendeve tona", tha presidenti Erdoğan për ushtarët turq që gjenden në Azerbajxhan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i uroi sukses personelit të Forcave të Armatosura Turke (TSK) që do të shërbejnë në Qendrën e Përbashkët që do të krijohet mes Turqisë dhe Rusisë në Azerbajxhan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjenerali Yaşar Güler, komandatë të tjerë ushtarakë dhe autoritete të larta ishin të pranishëm për mbikëqyrje në njësitë kufitare, ndërsa më pas kaluan në Azerbajxhan.

Akar dhe komandantët u pritën nga ministri i Mbrojtjes së Azerbajxhanit, Zakir Hasanov dhe zyrtarë të tjerë në aeroportin “Haydar Aliyev”. Më pas palët kaluan në Komandën EDOK Azerbajxhan ku morën pjesë në ceremoninë ushtarake.

Gjatë ceremonisë, presidenti Erdoğan iu drejtua ushtarëve turq që gjenden në Azerbajxhan për të shërbyer në Qendrën e Përbashkët që do të krijohet mes Turqisë dhe Rusisë si dhe personelit të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit.

Erdoğan duke përshëndetur edhe popullin mik dhe vëllazëror të Azerbajxhanit, theksoi se kanë arritur një fitore epike në 44 ditë nën udhëheqjen e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

“Prania juaj atje është një shenjë nderi që tregon pikën ku ka arritur marrëdhënia mes vendeve tona”, tha presidenti Erdoğan për ushtarët turq që gjenden në Azerbajxhan.

Ai paralajmëroi Armeninë e cila shkel armëpushimin kohë pas kohe. “Forcat armene të cilat hyjnë në veprime që do të shkelin armëpushimin, i këshilloj që sa më shpejtë të kthehen nga ky gabim”, u shpreh presidenti turk.

Erdoğan gjithashtu u uroi sukses të gjithë ushtarëve turq që japin përpjekje për të ruajtur paqen, qetësinë dhe stabilitetin në shumë vende përfshirë Kosovën, Katarin, Afganistanin, Libinë, Somalinë dhe Sirinë.