Erdoğan: Ne e shohim veten në Evropë, jo diku tjetër

“Ne e shohim veten në Evropë, jo diku tjetër, ne parashikojmë që të ardhmen tonë ta ndërtojmë bashkë me Evropën”, tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Ne e shohim veten në Evropë, jo diku tjetër, ne parashikojmë që të ardhmen tonë ta ndërtojmë bashkë me Evropën”, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet lidhjes direkte nga rezidenca Vahdettin në Stamboll, Erdoğan mbajti një fjalim në Kongresin e 7-të të zakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në qytetet Kütahya, Afyonkarahisar, Batman dhe Siirt.

Ai tha se synojnë të mos luftojnë me askënd as brenda dhe as jashtë, të mos shkelin të drejtat, legjitimitetin dhe qëndrimin legjitim të askujt. Erdoğan thotë se duan të jenë në një bashkëpunim më të fortë me miqtë dhe aleatët e tyre.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të mbajë premtimet që na ka dhënë, të mos bëjë diskriminim ose të paktën të mos bëhet vegël për armiqësitë kundër vendit tonë. Ne e shohim veten në Evropë, jo diku tjetër. Ne parashikojmë që të ardhmen tonë ta ndërtojmë bashkë me Evropën. Marrëdhëniet tona të gjata dhe të afërta të aleancës me SHBA-në dëshirojmë t’i përdorim në mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjeve rajonale dhe globale. Ne kurrë nuk mund të injorojmë vendet si Rusia dhe Irani që kemi marrëdhënie historike të rrënjosura”, tha Erdoğan.

Më tej Erdoğan tregoi se ata kanë marrëdhënie shumë të thella me botën islame dhe botën turke, ku herë-herë së bashku dhe herë-herë veçmas.

“Ne kërkojmë të përmirësojmë bashkëpunimin tonë me pothuajse të gjitha paktet rajonale në botë. Ne përpiqemi për zgjidhje të bazuara në integritetin territorial dhe unitetin politik kudo që të përfshihemi, nga Siria në Libi. Askush brenda kësaj fotografie nuk ka të drejtë të akuzojë, të izolojë, të kërcënojë me argumente plotësisht te rreme ose të gabuara Turqinë. Në çdo gjë që kryejmë, veprojmë me një qasje që vëzhgon të drejtën, legjitimitetin, drejtësinë e viktimave dhe të shtypurve”, tha Erdoğan duke shtuar:

“Edhe ndaj vendit tonë presim qasje me të njëjtën ndjeshmëri. Ne besojmë se asnjë vend dhe organizatë dinjitoze nuk do të pranojë që të shndërrohen në një lodër në duart e organizatave terroriste dhe lobeve të cilët armiqësinë ndaj Turqisë e kanë bërë qëllim të jetës”.

Në vijim Erdoğan theksoi se “Ne mbrojmë dhe zbatojmë demokracinë, të drejtat dhe liritë, drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik jo sepse dikush i dëshiron ose i imponon ato, por sepse populli ynë i meriton ato. Na vjen keq për ata të cilët shkelin vlerat që kanë premtuar vetë dhe të cilët kritikojnë vendin tonë për të njëjtat çështje dhe që e çojnë punën deri në pikën e sanksioneve. Mendojmë se nuk kemi asnjë problem me ndonjë vend apo institucion që nuk mund të zgjidhet përmes politikës, diplomacisë dhe dialogut”.

“Këto kanale ne i kemi mbajtur dhe do vazhdojmë t’i mbajmë të hapur. Asnjëherë nuk kemi nguruar të afrohemi tre-pesë hapa ndaj atyre që na afrohen një hap, po ashtu edhe pas kësaj do të vazhdojmë me të njëjtën sinqeritet. Si Parti AK, si qeveri, si grup parlamentar ashtu siç kemi punuar për 18 vite ne do të vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë edhe në periudhën e ardhshme”, tha presidenti Erdoğan.

Lajme të ngjashme