Erdoğan: Nuk do të lejojmë askënd të burgos në brigjet e tij vendin tonë

"Nuk do të lejojmë askënd të burgos në brigjet e tij vendin tonë i cili ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe", tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me Mesdheun Lindor tha se “Nuk do të lejojmë askënd të burgos në brigjet e tij vendin tonë i cili ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mbajti një fjalim në ceremoninë për ndarjen e medaljeve shtetërore të nderit që u mbajt në Qendrën kulturore dhe kongresit Beştepe në kryeqytetin Ankara.

“Ne kemi përqafuar fort jo vetëm të afërmit e dëshmorëve dhe veteranët por edhe drejtimin që kanë treguar dëshmorët”, tha Erdoğan i cili shtoi se duke rritur Turqinë, duke ngritur ekonominë, reputacionin, solidarizimin dhe vëllazërinë kanë përmbushur edhe trashëgiminë (porositë) e dëshmorëve.

Erdoğan deklaroi se nuk kanë as ngurrimin më të vogël lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe drejtësinë e popullit brenda dhe jashtë kufijve dhe se falë përpjekjeve të forcave të sigurisë po përjetojnë periudhën më të suksesshme në historinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit. Ai shtoi se në kuadër të konceptit të ri për sigurinë i kanë gjetur dhe i kanë shkatërruar terroristët pavarësisht se ku ata janë fshehur.

Duke bërë të ditur se me operacionet e ndërmarra në Siri kanë mundësuar të që dështojnë përpjekjet e bëra për të rrethuar Turqinë me një korridor të terrorizmit në jug të saj, Erdoğan vuri në dukje se po ashtu kanë eliminuar mundësinë që veriu i Irakut të bëhet një port i sigurtë për organizatën terroriste separatiste.

“Që nga DEASH-i, e deri tek FETO dhe DHKP-C ne nuk kemi ofruar mëshirë për askënd nga personat e ulët që kanë synuar dhe kanë sulmuar jetën, pronën dhe të shenjtat e njerëzve tanë”, tha Erdoğan.

“Mbrojmë deri në fund të drejtat e vendit tonë dhe Qipros turke”

Ai deklaroi se në Mesdheun Lindor mbrojnë deri në fund të drejtat legjitime të Turqisë dhe Qipros turke që burojnë nga ligji ndërkombëtar. “Nuk do të lejojmë askënd të burgos në brigjet e tij vendin tonë i cili ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe. Nga të gjithë bashkëbiseduesit është kuptuar tashmë çështja se gjuha e kërcënimit nuk funksionon, se Turqia nuk përulet ndaj shantazheve dhe banditizmit. Theksimi në ditët e fundit i tryezës diplomatike si vendi për zgjidhjen e çështjes, natyrisht që është rezultat i qëndrimit të vendosur të vendit tonë”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan potencoi se që në fillim kanë mbrojtur idenë që problemi në këtë çështje duhet të zgjidhet me dialog, me bisedime brenda ligjit të fqinjësisë.

“Pavarësisht provokimeve, sjelljeve fëmijërore të palës përballë, ne gjithmonë kemi vepruar me dinjitet e të qënurit të drejtë dhe shtet i madh. Qasja vetëpërmbajtëse me gjakftohtësi e Turqisë por edhe qëndrimi i fortë i saj kanë një pjesë të rëndësishme që procesi ka ardhur në këtë fazë. Edhe pas kësaj ne do të vazhdojmë të tregojmë pjekurinë që nevojitet. Bashkë me vendin tonë ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen, qetësinë dhe stabiltetin edhe të rajonit tonë. Ata që qasen me sinqeritet ndaj Turqisë do ta shikojnë gjithmonë vullnetin e mirë. Ndërsa ata që testojnë durimin dhe vendosmërinë e Turqisë do të marrin nga ne gjithmonë përgjigjen që meritojnë”, shtoi Erdoğan në fjalën e tij.

Në ceremoninë ku u ndanë medalje shtetërore të nderit për 77 të afërm të dëshmorëve dhe veteranë që jetojnë në Ankara, Erdoğan shprehu falënderimet e tij për sakrificat e bëra.