Erdoğan telefonatë me Putinin: Turqia në favor të zgjidhjes permanente të problemit të Karabakut

Gjatë bisedës telefonike janë diskutuar hapat drejt zhvillimit të marrëdhënieve Turqi-Rusi, çështja Azerbajxhan-Armeni, si dhe situata në Siri dhe Libi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, gjatë bisedës telefonike janë diskutuar hapat drejt zhvillimit të marrëdhënieve Turqi-Rusi, çështja Azerbajxhan-Armeni, si dhe situata në Siri dhe Libi.

Presidenti Erdoğan ka theksuar se Armenia, e cila shkaktoi krizë duke sulmuar territorin azerbajxhanas, po përpiqet ta bëjë të përhershëm pushtimin rreth 30-vjeçar, duke shtuar se Turqia është në favor që çështja të zgjidhet në mënyrë të përhershme qoftë në kuadër të Grupit të Minskut, qoftë në korniza të marrëdhënieve dypalëshe.

Erdoğan po ashtu ka theksuar nevojën e ruajtjes së përshpejtimit të arritur për zgjidhje politike të krizës siriane.