Erdoğan: Türkiye është angazhuar për zgjidhjen e krizës së pengjeve midis Rusisë dhe Ukrainës

Türkiye është angazhuar për zgjidhjen e krizës së pengjeve mes Rusisë dhe Ukrainës me qëllim të de-përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve, deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Tani jemi angazhuar për të zgjidhur krizën e pengjeve. Kemi ndërmarrë hapa dhe kemi arritur në një pikë të caktuar. Gjithashtu kemi marrë hapa në lidhje me korridorin e grurit”, tha Erdoğan në një intervistë për emisionin televiziv amerikan PBS NewsHour, e cila u transmetua të hënën.

Përpara se të mbërrinte në New York, me rastin e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Erdoğan zhvilloi vizitë dyditore në Uzbekistan, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin në margjinat e Samitit të 22-të të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).

“Kam pasur takime gjithëpërfshirëse me (presidentin rus Vladimir) Putin në Uzbekistan. Kuptova se ata në fakt po përpiqen ta përfundojnë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo situatë është një problem i madh”, deklaroi Erdoğan duke shtuar:

“Për shembull, në këtë pikë është arritur një marrëveshje për shkëmbimin e 200 pengjeve. Ky është një zhvillim i mirë. Sepse me këta pengje është bërë një hap shumë i rëndësishëm. Aktualisht zyrtarët janë duke menaxhuar dimensionin e saj teknik. Me këtë do të kemi arritur një zhvillim të mirë”, tha Erdoğan.

Erdoğan theksoi se i ka thënë Putinit dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy se “nuk ka fitues në një luftë që përfundon me vdekjen e njerëzve”.

Ai tha se Türkiye ka ndjekur një politikë të ekuilibruar midis Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt duke favorizuar dëgjimin e të dyja palëve.

“Prandaj kemi një dëshirë të vazhdueshme për t’i bashkuar këta dy liderë. Hajde t’i bashkojmë pra. Unë dua të dëgjoj gjithçka prej tyre. Nuk ia kemi dalë ende, por nuk e kam humbur shpresën”, shtoi Erdoğan.

Duke folur për korridorin e drithit, Erdoğan sërish shprehu dëshirën për të nisur së shpejti eksportin e grurit nga Rusia, duke theksuar se “dëshira e tij e vetme është të sigurojë dërgimin e produkteve në vendet e pazhvilluara apo të varfra, jo në ato të zhvilluara”.

– Marrëdhëniet me SHBA-në dhe çështja e avionëve luftarakë F-16

Duke iu përgjigjur pyetjes për marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në, Erdoğan tha se nuk mund të thotë se janë “në një pikë ideale”.

Ai theksoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe midis dy vendeve nuk ka arritur nivelin e dëshiruar, i cili u përcaktua gjatë mandatit të presidentit amerikan Donald Trump në 100 miliardë dollarë.

“Me fjalë të tjera, vëllimi i tregtisë midis Türkiye-s dhe SHBA-së nuk duhet të jetë 20, 25, 30 miliardë dollarë. Ne duhet ta tejkalojmë këtë. Përveç kësaj, ne nuk jemi në nivelin e dëshiruar as në industrinë e mbrojtjes”, shtoi Erdoğan.

Lidhur me çështjen e avionëve luftarakë F-16 mes dy vendeve, presidenti turk tha se SHBA-ja po bën “gabim” ndaj një vendi mik duke marrë vendim politik kundër Türkiye-s.

Tetorin e kaluar, Ankaraja i kërkoi SHBA-së të blinte avionë F-16 dhe komplete modernizimi. Marrëveshja prej 6 miliardë dollarësh do të përfshinte shitjen e 40 avionëve dhe kompleteve F-16 për të modernizuar 79 avionët luftarakë që Forcat Ajrore Turke kanë në inventarin e saj.

Megjithatë, në korrik, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi legjislacionin që paraqet një pengesë të re për shitjet. Ligji e ndalon shitjen vetëm në rast se presidenti Joe Biden nuk vërteton se është në interesin kombëtar të SHBA-së dhe garanton Kongresin se në 120 ditët para transferimit, qeveria turke nuk ka “shkelur sovranitetin e Greqisë, duke përfshirë fluturimet territoriale”.

Türkiye e bëri të qartë se kushtet në lidhje me Greqinë nuk ishin “detyruese” dhe shprehu shpresën se SHBA-ja nuk do të binte në “lojëra” të tilla.

Erdoğan kritikoi SHBA-në se i dhanë të gjitha llojet e mbështetjes Greqisë për avionët F-16, por nuk e mbështesin Türkiye-n në këtë drejtim.

Ndërkohë, Erdoğan të hënën mbajti një takim me dyer të mbyllura me senatorin amerikan Lindsey Graham, i cili më herët ishte shprehur se mbështet vendimin e administratës së Bidenit për t’i shitur Türkiye-s avionët luftarakë F-16.

– “Türkiye pjesë e botës; as Lindje e as Perëndim”

Pasi mori pjesë në samitin e sivjetmë të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan si partner dialogu, Türkiye mund të ndërmarrë një hap të mëtejshëm në samitin në Indi në vitin 2023, tha Erdoğan, duke shtuar se Ankaraja “synon” anëtarësimin.

“Këtë duhet ta them shumë qartë: ne jemi pjesë e botës, as Lindje dhe as Perëndim”, tha presidenti turk.

E themeluar në vitin 2001, organizata me tetë anëtarë synon të forcojë marrëdhëniet miqësore, fqinjësisë së mirë dhe besimin e ndërsjellë midis shteteve anëtare.

“Për fat të keq, BE-ja nuk na ka bërë anëtar për 52 vjet. Nuk ka asnjë vend tjetër në BE që është në situatën tonë. Ata vazhdojnë të frenojnë procesin. Megjithatë, ne jemi një vend i NATO-s. Edhe pse jemi një vend i NATO-s, madje edhe vendet e aleancës na penguan në procesin e BE-së”, shtoi ai.

Ai theksoi se Türkiye nuk do t’i jap llogari BE-së se me kë takohet dhe se takohet dhe bisedon me të gjitha vendet sepse është pjesë e botës.

Türkiye aplikoi për anëtarësim në BE në 1987 dhe u shpall vend kandidat në 1999. Negociatat për anëtarësim të plotë u hapën në tetor 2005 por kanë ngecur në vitet e fundit për shkak të pengesave politike të ngritura nga disa vende.

Në fund ai përsëriti se Türkiye nuk do të mbajë qëndrim pozitiv ndaj përpjekjeve të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO nëse nuk i përmbushin premtimet e tyre për luftën kundër terrorizmit.

“Nëse tregoni një luftë kundër terroristëve, nëse luftoni, ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë të gjitha llojet e mbështetjes. Sigurisht, vendimi përfundimtar për këtë merret nga parlamenti ynë”, tha Erdoğan.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në qershor, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, Türkiye shprehu një sërë vërejtjesh për kandidaturën e dy vendeve skandinave për anëtarësim në NATO, duke i kritikuar ato për tolerimin dhe madje mbështetjen e organizatave terroriste.

“Nëse aktivitetet terroriste vazhdojnë, ata nuk mund të bëhen anëtarë, sepse NATO nuk është një organizatë që mbështet organizatat terroriste. Kjo është një organizatë që lufton terrorizmin”, tha Erdoğan.