Erdoğan: Türkiye është e vendosur t’i bëjë kufijtë e saj të sigurt me operacione kundër terrorizmit

Türkiye është e vendosur ta bëjë vendin dhe kufijtë e saj të sigurt përmes operacioneve të saj kundër terrorizmit, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me këto operacione, hap pas hapi, ne jemi të vendosur të bëjmë çdo pëllëmbë të vendit tonë të sigurt, duke filluar nga kufijtë”, tha Erdoğan në një aktivitet në provincën turke të Konyas.

Mesazhet e presidentit Erdoğan erdhën pasi tre ushtarë turq humbën jetën në veri të Irakut këtë javë nga zjarri në zonën e operacionit “Kthetra-Dryni”, të cilin Türkiye e nisi në prill për të shënjestruar strehëzat e organizatës terroriste PKK në rajonet veriore të Metina, Zap dhe Avasin-Basyan afër kufirit me Türkiye-n.

Erdoğan shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të ushtarëve, forcat e armatosura turke dhe kombin.

Të dielën, forcat turke nisën një operacion ajror ndërkufitar “Kthetra-Shpata” kundër organizatës terroriste PKK/YPG, e cila vepron në strehëzat e terroristëve në zonat kufitare të Sirisë dhe Irakut dhe planifikon sulme ndaj Türkiye-s.

Zyrtarët turq thanë se operacioni u nis në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtën e vendit për vetëmbrojtje sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara. Ata gjithashtu theksojnë se terroristët janë objektivi i vetëm i operacionit.

Operacioni anti-terrorist ajror “Kthetra-Shpata” pasoi sulmin terrorist të kryer nga terroristët e PKK/YPG-së më 13 nëntor në rrugën e frekuentuar “Istiklal” të Istanbulit, ku humbën jetën 6 persona ndërsa 81 të tjerë u plagosën.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e cila renditet si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. YPG është dega siriane e kësaj organizate terroriste.