Erdoğan: Turqia ka hyrë në ligën e gjigantëve të industrisë së mbrojtjes

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan deklaroi sot se vendi i tij ka hyrë në ligën e gjigantëve në industrinë e mbrojtjes, pavarësisht nga bandat globale që duan që Turqia të varet prej tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan foli në Qendrën e Kongresit të Stambollit në një tubim të organizuar nga konfederata e sindikatave turke Memur-Sen.

Duke folur për sukseset që Turqia ka bërë në dy dekadat e fundit, Erdoğan tha: “Pas çdo suksesi që kemi arritur në 19 vitet e fundit fshihet një përpjekje e madhe, durim, strategji dhe punë shumë serioze”.

Ai tha se Turqia ka bërë përpjekje të mëdha për të ngritur standardet e demokracisë dhe se përpjekjet e saj ishin sabotuar nga provokime, grusht shteti dhe vrasje politike. Mirëpo, siç tha ai, nuk kanë lejuar që ky sukses të ndalet.

Ai u ndal edhe te sukseset në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“A kemi ne dronët tanë (IHA)? Po, i kemi. A kemi dronët tanë të armatosur (SIHA)? Po, i kemi. Tani po shkojmë në një segment tjetër më lart. Kemi edhe dronët tanë sulmues Akinci”, tha Erdoğan, duke shtuar:

“Në fushën e industrisë së mbrojtjes, ne hymë në ligën e gjigantëve, pavarësisht se bandat globale donin të vareshim prej tyre”.