Escobar “ tërheq veshin” për Open Balkan: S`ka sukses, po nuk hynë të gjithë

Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses, nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin serb me temën “Ballkani i Hapur – Rruga drejt qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe përparimit në rajon”.

Nismës së hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, që synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Escobar që u lidh virtualisht në debat, tha se është me rëndësi që “të tri vendet që kanë hedhur nismën të jenë të hapura dhe të bisedojnë me tre partnerët tjerë që janë të rezervuar”.

Ai tha po ashtu se në nismat rajonale duhet barazi dhe të mos ketë diskriminim mbi baza etnike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin nismat rajonale, nëse ato nuk pengojnë integrimet europiane.

Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të përmbushni standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha ai.

Ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey tha se “është koha që të hapen mundësitë ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre europiane”.