Është Bajram!… Gëzohuni pra!…

Nga Evans Drishti

Gëzon foshnja që në momentin e parë kur vjen në këtë jetë, teksa dhuron një buzëqeshje jetësore dhe të pashlyeshme, që në të vërtetë s’zëvendësohet me asgjë, pasi ajo është lumturia e jetës, çelësi thelbësor i sakrificës jetësore…
Gëzon fëmija me lodrat që sheh përreth, në përpjekje për t’u harmonizuar me secilën nga to, teksa sheh dhe vështron fytyrat e qeshura jo vetëm të prindërve të tij të mrekullueshëm, që natyrshëm përbëjnë edhe thelbin e ekzistencës së vet, por edhe të njerëzve të tjerë që e rrethojnë me plot dashuri dhe sinqeritet, për vetë gëzimin që ka sjellë për ta…
Gëzon i riu apo e reja për shpërblimin e një mundimi dhe sakrifice në arritjet e shumta individuale, e për rrjedhojë edhe shoqërore, teksa si shëmbëlltyrë ka bërthamën e ngrohtë të shoqërisë, familjen e shëndetshme dhe plot hare, simbol i vetëflijimit dhe sakrifikimit për çdo arritje të tij apo të saj…
Gëzon nëna dhe babai, si dy qenie që morën përsipër krijimin e kësaj bërthame të shoqërisë njerëzore, familjes, teksa shohin frytet e dashurisë së tyre magjike që shërbejnë me dinjitet dhe vetëmohim në rrugëtimet e tyre jetësore të pajisur me mirësitë dhe kënaqësitë, e mbi të gjitha ndërgjegjen e një sakrifice të hekurt për të qenë në gatishmëri të plotë dhe të formuar në maturi në përballje të sfidave të jetës…
Gëzojnë gjyshërit, që pas një linje të gjatë të rrugëtimit të jetës marrin kënaqësinë e madhe të kenë pranë gëzimet dhe lumturitë jo vetëm të një familjeje bërthamë, por të një farefisnie të tërë, duke aspiruar në thellimin e një trashëgimie të pashtershme, gjithnjë mbi bazën e një sakrifice të sinqertë dhe një devocioni të etshëm, ku çdo shërbesë të ketë fituar pëlqimin e Krijuesit të Gjithësisë…
Gëzojnë mësimdhënësit si prindërit e dytë të brezave të rinj, që me aq përkushtim, sakrificë, devotshmëri arritën të kultivonin tek brezat e rinj filizat e dashurisë dhe identitetit njerëzor duke çelur dhe shpërndarë gjithandej lule shumëngjyrëshe si zbukuruese të së magjishmes tokë…
Gëzojnë të gjithë profesionistët e fushave të ndryshme të jetës, të cilët teksa kanë sakrifikuar me mish e me shpirt në krijimin dhe ndërtimin e projekteve jetike, marrin frytet e një përkushtimi dinjitoz dhe plot vlera duke ndërtuar kështu bazën e një shoqërie të emancipuar drejt një integrimi sa më të qëndrueshëm…
Gëzojnë mjekët dhe infermierët, të cilët sidomos në këto kohë të vështira pandemie që përjetoi dhe vijon të përjetojë e tërë bota mbarë u gëzohen me plot gojë arritjeve të tyre për shërbimet e mrekullueshme që u ofruan njerëzve në përballimin me sukses të kësaj situate, për të cilën padyshim lutemi të gjithë të kalojë sa më parë…

Gëzon toka, deti, lumi, liqeni, fushat dhe malet, teksa mirëpresin në gjirin e tyre shpirtin e njeriut që lumturon begatitë dhe mirësitë që i janë dhuruar…
Jeta gjallon atëherë kur njeriu, si qenia më e përsosur e krijuar në këtë rruzull tokësor, është në veprim dhe kërkon me përkushtim dhe vetësakrifikim të sjellë përherë risi në përditshmërinë e tij… Dora që prek, syri që sheh dhe vëzhgon, mendja që gjykon, këmbët që lëvizin, goja që flet, hunda që nuhat, veshët që dëgjojnë janë të gjitha në unison të plotë për të ofruar një shërbim të jashtëzakonshëm me anë të të cilit njeriu formon identitetin dhe karakterin e vet për të qenë i gatshëm të sakrifikojë pa marrë parasysh vështirësitë e hasura, gjithnjë me një qëllim të caktuar, që çdo vepër e kryer të ketë fituar pëlqimin e Krijuesit të Gjithësisë…

Sot i gëzohemi mishit të kurbanit në emër të sakrificës dhe përkushtimit që shfaqim ndaj Atij, që na dha jetë dhe na mundësoi t’u gëzohemi mirësive të pafundme… .
Sot i gëzohemi çdo ushqimi të këndshëm që shijojmë si rezultat i atyre dhuntive që na janë dhënë jo vetëm si qenie njerëzore, por edhe si burim jete…
Sot i gëzohemi vlerave të larta njerëzore:
i gëzohemi respektit që tregojmë ndaj tjetrit, qoftë ky/kjo më i vogël apo më i madh në moshë nga ne,
i gëzohemi dashurisë së pakufishme që reflektojmë ndaj qenies njerëzore dhe çdo gjallese tjetër, së cilës i shërbejmë dhe që na është vënë në shërbim,
i gëzohemi mendjes së ndritur që na mundëson të tregohemi të matur dhe të kujdesshëm për të kuptuar rolin tonë, jo vetëm në jetën individuale, por edhe në atë shoqërore, për t’u vënë në shërbim të çdo gjëje që ka nevojë për ne,
I gëzohemi shëndetit tonë të plotë, që na mundëson të jemi të aftë të kryejmë çdo detyrim dhe obligim në emër të Atij, Krijuesit të Gjithësisë,
I gëzohemi natyrës dhe karakterit tone, që na mundësojnë të kuptojmë pozicionin që kemi në familje dhe shoqëri duke shërbyer me fisnikëri dhe duke kuptuar rolin kyç të sakrificës,
I gëzohemi ndjesive si dhunti dhe gurë të çmuar, që na janë dhënë për të kuptuar veten dhe tjetrin për një bashkëpunim sa më frytdhënës në mbarëvajtjen e jetës,
i gëzohemi zemrës dhe shpirtin tonë të madh, që na mundësojnë të tregohemi zemërgjerë dhe shpirtdëlirë për ta rrokur dhe përqafuar njeriun aspirues, guximtar, të etshëm për dije dhe kulturë, të udhëhequr nga urdhëri hyjnor “Lexo!”,
i gëzohemi gjuhës sonë të ndritur që na mundëson të përzgjedhim fjalët dhe shprehjet më të bukura për të përcjellur mirësitë, begatitë dhe urtësitë e këtij Bajrami!…
Sot është Bajram!…
Sot është Bajrami i Kurbanit!…

Është dita dhe koha të ndajmë së bashku atë që kemi më të shtrenjtë:
fjalën tonë të bukur,
kohën tonë të vyer,
dijen dhe kulturën tonë,
eksperiencën tonë,
zemërgjerësinë dhe shpirtdëlirësinë…

GËZOHUNI DHE GËZOJINI!…