Europa në revoltë kundër kufizimeve për vaksinat

Dhjetëra mijëra vetë, shumë prej tyre mbështetës të së djathtës ekstreme, protestojnë në të gjithë Europën kundër kufizimeve të koronavirusit. Nga Vjena në Holandë, protestat u nxitën nga detyrimet ndaj të pavaksinuarve.

Në Roterdam pati edhe të plagosur. Protesta kundër kufizimeve, të cilat synojnë frenimin e përhapjes së Covid-19, u zhvilluan të shtunën edhe në Zvicër, Kroaci, Itali, Irlandën Veriore.

Protestuesit u mblodhën kundër kufizimeve të koronavirusit dhe kartave të detyrueshme për COVID-19 të kërkuara në shumë vende evropiane për të hyrë në restorante, tregje Krishtlindjesh ose ngjarje sportive, si edhe kundër vaksinimeve të detyrueshme.

Në Itali, 3,000 vetë dolën në Circus Maximus në kryeqytet, një fushë ku në kohët e lashta romakët organizonin argëtime popullore, për të protestuar kundër certifikatave të gjelbra të kërkuara në vendet e punës, restorante, kinema, teatro, ambiente sportive dhe palestra, si edhe në udhëtimet me tren, autobus ose traget në distanca të gjata.