Evropa mbështet retorikat e PKK-së ndërsa injoron nënat e Diyarbakır-it

Në mediat e vendeve si Gjermania, Franca, Holanda dhe Suedia nuk paraqiten pothuajse aspak lajme për historitë e viktimave të organizatës terroriste ose për protestën e nënave në Diyarbakır

Përderisa vendet dhe mediat evropiane paraqesin një qëndrim që mbështet retorikat e PKK-së, ato qëndrojnë indiferentë ndaj nënave që protestojnë në qytetin Diyarbakır të Turqisë për të shpëtuar fëmijët e tyre nga organizata terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).

PKK pavarësisht se ndodhet në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian (BE), ajo gjen një fushëveprim të gjerë në Evropë.

Retorikat e PKK-së shumë herë sigurojnë legjitimitet duke u paraqitur si “mendimi i kurdëve” në mediat e vendeve si Gjermania, Franca, Holanda dhe Suedia.

Përballë kësaj në mediat e këtyre vendeve nuk paraqiten pothuajse aspak lajme lidhur me historitë e viktimave të organizatës terroriste ose lidhur me protestën e nënave në Diyarbakır.

Ata që marrin pjesë në gjykimet e terroristëve, nuk vizitojnë nënat e Diyarbakırit

Ky qëndrim i mediave paraqitet edhe nga zyrtarët. Për shembull ish-komisionieri, Johannes Hahn në vitin 2016 u takua me Eyüp Doru, përfaqësuesin e Partisë HDP për Evropën i cili kërkohet me buletin të kuq për shkak të aktiviteteve të tij në organizatë terroriste. Ndërsa në Parlamentin Evropian çdo vit zhvillohen takime ku marrin pjesë edhe të ashtuquajturit liderë të PKK-së për Evropën.

Zyrtarët evropianë ose përfaqësuesit e tyre në Turqi teksa marrin pjesë në seancat e atyre që gjykohen për anëtarësim në organizatë terroriste, ato injorojnë nënat e Diyarbakırit që protestojnë prej më shumë se një viti.

Diplomati i vetëm evropian që vizitoi nënat në Diyarbakır është ambasadori i Britanisë së Madhe në Ankara, Dominick John Chilcott.

Terroristët i mirëpresin nëpër rezidenca, për viktimat nuk interesohen

Dihet që Franca në Evropë është një nga vendet më të afërta me PKK-në. Organizata terroriste ka mundur të marrë mbështetje me rrugë të ndryshme që nga ish-presidenti, François Mitterrand e deri tek presidenti aktual, Emmanuel Macron.

Macron në prill të vitit 2019 duke pritur në rezidencën Elysee terroristët e YPG/PKK-së të emërtuar si FDS, ngriti në nivelin më të lartë mbështetjen për organizatën. Në një deklaratë nga rezidenca pas takimit në prill 2019, u njoftua se Macron ka siguruar organizatën se “do të vazhdojë mbështetjen aktive”.

Franca e Macronit jo vetëm që nuk u mjaftua me praninë e saj ushtarake në rajonin që YPG/PKK-ja ka pushtuar në Siri, por këshilltarët ushtarakë francezë dhanë trajnim për terroristët në bazën Ayn el-Isa.

Qeveria e Parisit lejon gjithashtu anëtarët e PKK-së që të zhvillojnë në vend dhe kryesisht në sheshet e Parisit protesta. Mbështetësit e PKK-së zhvillojnë pa ndërprerë protesta para Këshillit Evropian për lirimin e kreut të organizatës. Përballë kësaj zyrtarët francezë nuk kanë bërë ndonjë deklaratë lidhur me nënat e Diyarbakırit.

Kjo situatë nuk është ndryshe as në mediat franceze, ku vetëm gazeta “Liberation” në artikullin e saj më 6 janar ka shkruar se rreth 30 familje në Diyarbakır kanë protestuar me fotografitë e fëmijëve të tyre para ndërtesës së partisë HDP (Partia Demokratike e Popujve) dhe se familjet akuzojnë HDP-në për ndihmë ndaj organizatës terroriste PKK në rrëmbimin e fëmijëve të tyre.

Mediat gjermane injorojnë nënën që proteston në Gjermani

Ashtu si Franca, retorikat e PKK-së gjejnë vend të gjerë edhe në Gjermani. Pavarësisht se PKK-ja ndodhet zyrtarisht në kategorinë e organizatës terroriste, tërheq vëmendjen se mediat e vendit vazhdojnë të krijojnë një perceptim në opinionin publik duke i paraqitur aktivitetet separatiste të terroristëve të PKK-së si përpjekje për liri.

Nëna Maide T. vajza e së cilës është rrëmbyer në Berlin nga organizata terroriste, prej 11 muajsh kërkon ndihmë nga zyrtarët gjermanë për rikthimin e vajzës së saj. Pavarësisht kësaj deri më sot nuk është hedhur asnjë hap konkret.

Maide T. prej rreth 11 muajsh proteston para Kryeministrisë gjermane dhe Paralamentit federal. Mos takimi i saj nga asnjë gazetar gjerman, shihet si tregues i mbështetjes së mbuluar të medias gjermane për PKK-në.

Mediat gjermane përveç disa rasteve, vazhdojnë të injorojnë nënat që protestojnë para ndërtesë së HDP-së në Diyarbakır.

“Edhe ato janë nëna kurde”

Ky qëndrim me dy fytyra që shihet në Evropë, u vendos në rend dite edhe nga ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu gjatë një konference për media që mbajti dje me homologen suedeze, Ann Linde.

Duke iu drejtuar ministres Linde, Çavuşoğlu deklaroi: “Edhe ju jeni një nënë, nga ju kërkoj që të shkoni dhe të bisedoni me nënat që presin fëmijët e tyre prej mëse 1 viti në Diyarbakır. Edhe ato janë gra kurde. Përse kur themi kurdë mbështesni gjithmonë PKK-në, YPG-në FDS-në. Çfarë mëkati kanë kurdët e tjerë?”.

Nënat në Diyarbakır

Nëna Hacire Akar, më 22 gusht të vitit 2019 filloi protestën e pritjes para selisë së partisë HDP duke pretenduar se djali i saj ishte rrëmbyer nëpërmjet HDP-së. Kjo përpjekje që nëna Hacire Akar e filloi për të mos bërë viktimë të terrorizmit djalin e saj dha rezultat dhe më 24 gusht 2019 ajo arriti të bashkohet me djalin e saj.

Më pas nënës Akar iu bashkuan edhe nënat e tjera dhe deri më sot janë bashkuar me fëmijët e tyre 15 familje ndërkohë që përpara selisë së HDP-së vazhdon pritja e 152 familjeve.