Pas një muaji sakrificash dhe agjërimi, besimtarët myslimanë festojnë këtë të enjte Bajramin e Madh. Ndryshe nga viti i kaluar ku falja e mëngjesit u krye vetëm nëpër xhami për shkak të kushteve të COVID-19, këtë herë falja do të kryhet në sheshet kryesore të qyteteve. Në Tiranë, ky ritual do të kryhet në sheshin Skënderbej.
Myftiu i Tiranës Lauren Luli tregon për Euronews Albania masat që janë marrë për mbajtjen e këtij rituali fetar, pas konsultimit me instancat shtetërore.
“Dy bajramet e shkuara ishin të kufizuara duke u falur nëpër xhami, por sivjet do ta falim në shesh, do ta festojmë së bashku, ndonëse duke pasur shumë kujdes. Falja e Bajramit është së bashku për këtë arsye, sepse shpesh herë pyetet pse duhet të falen së bashku, po simbolika e Bajramit është që të festohet së bashku, pra të mblidhemi në një vend”, tha Myftiu i Tiranës, Lauren Luli.
Programi i faljes së Bajramit sipas Myftiut të Tiranës do të fillojë rreth orës 6 pa 20 të 14 majit. Për shkak të pandemisë ky aktivitet do të jetë më i shkurtër në kohë dhe çdo besimtar duhet të jetë i pajisur me maskë.
“Ne kemi marrë disa masa siç është kufizimi i minutazhit të programit të faljes së Bajramit që është një minutazh i shkurtër. Do shpërndahen maska në të gjitha hyrjet e sheshit ‘Skënderbej’ për ata që do u mungojë maska, do i kërkojmë besimtarëve që të kenë një sixhade personale, do mundohemi që të menaxhojmë edhe pjesën e distancës”, u shpreh Myftiu i Tiranës.
Dita e Fiter Bajramit, përmbyll Muajin e Ramazanit, muaj në të cilin besimtarët agjërojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Falja e Bajramit të Madh, Myftiu i Tiranës: Do kryhet në sheshin ‘Skënderbej’, besimtarët me maskë


