10.3 C
Tiranë
E hënë, 29 Nëntor, 2021

Festat e nëntorit, policia masa shtesë/ Bilanci i javës: Arrestohen 28 shoferë, ndëshkohen qindra të tjerë

Policia rrugore ka shtuar masat për fundjavën por edhe për festat e nëntorit, ndërsa vijojnë monitorimet intensive të qarkullimit rrugor në të gjithë vendin.

Gjatë kësaj jave janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 2334 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar 4121 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia njofton gjithashtu se janë pezulluar 206 leje drejtimi, nga të cilat 113 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 55 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 38 për qarkullim në sens të kundërt.

Ndërkaq, janë arrestuar 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 20 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

“Në kuadër të festave të nëntorit, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë, duke rritur prezencën e shërbimeve policore, për të monitoruar qarkullimin e automjeteve dhe për të garantuar rendin e sigurinë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të ketë ceremoni festive.

Policia e Shtetit, nisur dhe nga fakti se në fundjavë akset rrugore në drejtim të zonave turistike dhe bregdetare kanë fluks të shtuar dhe se në rrugë ka prezencë të lagështirës për shkak të motit me shi, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme