Nga Evans Drishti
Në jubileun e tij të 10-të, festivali “LULEBORË” i Shkodrës këtë vit erdhi mes ngjyrash të larmishme dhe një muzikaliteti brilant, që vetëm këngëtarët profesionistë të Shkodrës dinë ta përcjellin aq ngrohtë dhe plot ndjenjë.
Emra të njohur të muzikës dhe të artit shkodran dhe shqiptar ishin bashkuar këtë herë me një frymë avangardiste, që natyrshëm përcolli emocione të shumta te publiku i mrekullueshëm, që nuk reshti së duartrokituri këtë festë jubilare që nga nisja e deri në fund.
Dora dhe mendja e mrekullueshme e sopranos së njohur Inva Mula ndjehej në mënyrë të padiskutueshme në çdo qelizë të përgatitjes së këtij eventi të përmasave kombëtare e më gjerë, Juria e këtij festivali e përbërë nga emra shumë të njohur të muziës dhe artit si: Eli Fara, Rosela Gjylbegu, Bashkim Alibali, Armando Likaj, kryesuar nga mjeshtri Osman Mula nuk e patën aspak të lehtë përcaktimin e fituesve, pasi çdo interpretim i këtij edicioni ishte një vlerë më vete.
Festivali është një identitet i fjalës së bukur dhe të dëlirë, i mendjes së hollë dhe fisnike që di të kumtojë një botë të thellë plot sinqeritet dhe patos, pasi teksti i një kënge përbëhet nga fjalë zemre që rrezatojnë urtësi njerëzore. Të tilla tekste të gërshetuara me një linjë muzikore magjepsëse, kur sillen ëmbëlsisht dhe ngrohtësisht, e mbi të gjitha qartësisht dhe kuptueshëm padiskutim që marrin një tjetër vlerë dhe peshë. Si të tilla mbeten menjëherë të mirëpritura nga publiku, pasi padyshim depërtojnë vrullshëm në mendjet dhe shpirtrat e artdashësve.
Ndaj të tilla evente mirëpriten me plot besnikëri nga artdashësit, pasi mbeten gjithnjë të etur për cilësi dhe bukuri shpirtërore. Shkodra tregon gjithnjë se është jo vetëm mikëpritëse e denjë, por edhe vlerësuese e vlerave, siç ishte edhe gjesti domethënës i kryetarit të jurisë, mjeshtrit Osman Mula, i cili i dhuroi një tablo në pikturë realizuar nga ai vetë prezantueses së këtij edicioni Arjola Shehu.
Në përmbyllje fitues u shpallën:
Në vendi e tretë:
Kënga titulluar “Në rrugicat e Shkodrës”
Me tekst të Arjola Zadrimës, muzikë dhe orkestrim të Florent Boshnjakut
E kënduar nga Martina Sarreqi
Në vendin e dytë:
Kënga titulluar “Shkodër Loce”
Me tekst të Melita Vjerdhës, muzikës nga Laorjan Ejlli, orkestrim nga Markelian Kapedani
E kënduar nga Laorjan Ejlli.
Në vendin e parë:
Kënga titulliar “Ta dish”
Me tekst dhe muzikë nga Leon Lekaj, orkestrim nga Ilirjan Zoga
E kënduar nga Glerdit Turmetaj
Ta dish, se ëndrrën kurrë s’e lashë
Ta dish, se prapë do t’jemi bashkë
Në Rozafë te puthje malli si atëherë
Kur nata fle
Janë vetëm disa nga vargjet melodioze që rrëmbyen zemrat e publikut shkodran në këtë fest jubilare, nën interpretimin e mrekullueshëm të këngëtarit të njohur Glerdit Turmetaj. Si gjithnjë mbetet publiku përcaktuesi kryesor i një fitoreje, i cili me duartrokitjet e ngrohta të pranon në gjirin e vet për të mos të lëshuar për asnjë çast.


