Prej sonte pas mesnate përfundon llogaritja verore e kohës, kur akrepat do të lëvizin një orë prapa, nga ora 3:00 në orën 2:00, informon Byroja për metrologji, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimi për ditën dhe momentin e përfundimit të llogaritjes verore të kohës në vitin 2018 është publikuar në ‘Gazetën zyrtare’ të Republikës së Maqedonisë numër 52 më 22 mars 2018.
Sipas propozimit, çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian deri në prill të vitit 2019 duhet të vendos nëse do të mbetet në llogaritjen dimërore apo verore të kohës. Zhvendosja e fundit e obligueshme e kohës në llogaritjen verore do të jetë më 31 mars të vitit 2019, ndërsa anëtaret të cilat dëshirojnë të kthehen në llogaritjen dimërore të kohës do të mund atë ta bëjnë edhe një herë më 27 tetor të vitit 2019.
Maqedonia e ndjek procesin dhe pas miratimit të propozim-direktivës e pret harmonizim i legjislaturës së RM-së dhe përcaktimin e mënyrës së transponimit të direktivës.
Ndryshimi i kohës në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të vitit 1970 me elaborimin se me atë shtyhet dita, mundësohet kursim i konsumit të energjisë elektrike, rritet produktiviteti, përmirësohet përshtatja e njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.
Kalimi nga koha e verës në të dimrit për herë të parë u shënua në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore, ndërsa deri tani është vendosur në rreth 70 shtete, kryesisht në hemisferën veriore.
Përndryshe, në Maqedoni përllogaritja dimërore dhe verore e kohës është vendosur në vitin 1996.



