Gjatë një takimi në Uashington të premten, Presidenti i SHBA-së Donald Trump i bëri thirrje Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të pranojë kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës, raporton sot Financial Times, duke cituar burime të informuara mirë.
Sipas një zyrtari evropian të informuar mirë, Trump i tha Zelensky-t se duhej të bënte një marrëveshje të tillë “ose do të përballej me shkatërrimin” sepse ai tashmë po e humbiste konfliktin e armatosur.
Burime të mirinformuara konfirmuan se situata gjatë bisedës midis Trump dhe Zelensky ishte jashtëzakonisht e tensionuar dhe se në një moment gjatë takimit, presidenti amerikan hodhi nga tavolina hartat e vijave të frontit në Ukrainë.
Sipas burimeve, Trump i “i dha leksione” Zelensky-t për pjesën më të madhe të takimit, duke përsëritur pikëpamjet e shprehura nga Presidenti rus Vladimir Putin gjatë telefonatës së tyre të fundit.
Burimet i thanë Financial Times se Zelensky ishte “jashtëzakonisht mosbesues” pas takimit.
Trump dhe Zelensky u takuan të premten, më 17 tetor, në Uashington, dhe gjatë takimit nuk u arrit asnjë marrëveshje për Ukrainën që të merrte raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, të cilat Zelensky i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

