Fiskalizimi/ Ministrja e Ekonomisë dhe Financave: Shqetësim biznesi i vogël, 53% kanë filluar procedurat. Gati për çdo ndryshim që procesi të finalizohet

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka folur për procesin e fiskalizimit në Kuvend.

Ibrahimaj thotë se fiskalizimi është një nga reformat më madhore të 10 viteve të fundit dhe qeveria është munduar që të ketë një qasje të kujdesshme.

Po ashtu ajo thotë se biznesi i vogël ka qenë shqetësimi i vetëm, por 53% kanë filluar tashmë procedurat, kurse pjesa tjetër pritet brenda janarit të këtij viti.

”E nderuar znj.kryetare e kuvendit, të nderuar deputetë
Pyetja që më është drejtuar ka të bëjë me fiskalizimin si një nga reformat më të mëdha të 10 viteve të fundit. Ne kemi pasur një qasje të kujdesshme ndaj bizneseve dhe tatimpaguesve. Që në fazën e parë, kur procesi filloi me fazën biznes me shtet. Si në fazën e dytë kur filloi me faturën elektronike, biznes me biznes.

Deri tani ecuria ka qenë e kënaqshme. Mbi 32 milion fatura të lëshuara me fiskalizimin. Shqetësimi i madh ka qenë për biznesin e vogël, që ka nisur hapat drejt fiskalizimit, 53%, më shumë se gjysma kanë filluar procedurat. Pjesa tjetër pritet të fiskalizohet brenda janarit të këtij viti. Të shohim shqetësimet, të masim pulsin. Kemi organizuar tavolina të rrumbullakëta.
Të dëgjojmë bizneset, jemi gati për çdo ndryshim, zhvillim apo lejim që procesi të finalizohet në mënyrën më të duhur. ”- tha Ibrahimaj.