Në një operacion me pjesëmarrjen e 200 policëve ndaj shoqatës “Centre Zahra France” në qytetin Grande-Synthe në veri të Francës, 11 persona janë arrestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të gazetës “Le Figaro”, njësitë e policisë të mbështetur edhe nga njësitë speciale kanë kryer bastisje në ndërtesën e shoqatës si dhe në 12 adresa të tjera ku ndodheshin drejtuesit e saj.
Bëhet e ditur se operacioni është kryer si rezultat i vendimit të marrë nga prefektura e rajonit të veriut me akuzat se “drejtuesit e shoqatës kanë dhënë mbështetje të hapur ndaj organizatave terroriste”. Po ashtu theksohet se 11 persona janë arrestuar në bastisjet e kryera në adresat e drejtuesve dhe shoqatës “Centre Zahra France” e cila ushtron aktivitet që prej vitit 2005 e deri më tani.
Gjithashtu njoftohet se janë ngrirë për 6 muaj asetet e shoqatës e cila ka kryer veprimtari në mbështetje të Hezbullahut iranian dhe atë libanez.
Në anën tjetër vendimi për ngrirjen e aseteve edhe të Federatës Shiite franceze dhe Partisë Antisioniste të cilat njihen me afërsinë që kanë me “Centre Zahra France” është publikuar në botimin e sotshëm të gazetës zyrtare franceze.



