Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe nënkryetarja e Komisionit Europian, Federica Mogherini tha sot, pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit Be-Shqipëri se vendit i nevojitet një ministri e Brendshme funksionale.
“Ne e kemi diskutuar këtë çështje dhe është e rëndësishme që Ministria e Brendshme të funksionojë si duhet dhe të jetë aktive. Është e rëndësishme për ne dhe qytetarët shqiptarë”, theksoi Mogherini.
Shqipëria, vuri në dukje, kryediplomatja europiane, ka mundësinë unike të çeljes së negociatave në vitin 2019, por e rëndësishme, sipas saj, është vazhdimi i reformave. Mogherini e cilësoi të rëndësishëm edhe dialogun politik në vend.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe nënkryetarja e KE-së, Federica Mogherini, vlerësoi po ashtu pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri edhe rezultatet në luftën kundër krimit.
“Kur bëhet fjalë për dënimet e mëdha penale, pra dënimi i një grupi kriminal në Shqipëri, tregon se në Shqipëri është bërë përpjekje”, tha Mogherini.
Mogherini theksoi se Brukseli ka mbështetur përpjekjet e Shqipërisë. “Takimi ynë bëhet disa muaj pasi vendet anëtare paraqitën një rrugë të qartë në drejtim të hapjes së negociatave në qershor 2019. Është një udhërrëfyes që Shqipëria të ecë në këtë drejtim. Nuk ka kushte të reja”, vuri në dukje ajo.
“Ne e bëmë këtë takim, pasi Shqipëria ka bërë progres. Nuk ka kushte të reja, e rëndësishme është të vazhdojnë reformat si reforma mbresëlënëse në Drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar. Shqipëria duhet të luajë rolin e dialogut dhe të bashkëpunimit politik, ndërsa opozita duhet të kthehet në parlament”, tha ajo.
Po ashtu, Mogherini tha është diskutuar për situatën në rajon dhe Shqipëria luan rol jetësor dhe konstruktiv në rajon, duke nxitur bashkëpunimin rajonal.
Duke folur për rolin e politikës së jashtme të Shqipërisë me BE, Mogherini tha se “ne jemi 100% në të njëjtën valë me Shqipërinë, për sa i përket politikës së jashtë me BE.
“Viti 2019 është mundësi unike për të gjithë rajonin, sidomos për Shqipërinë duke bërë progres të qartë drejt rrugës europiane. Ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht në vitet në vazhdim”, theksoi Mogherini. /ATSH


