Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ka inspektuar trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).
Thaçi i cili gjatë këtij inspektimi mbante uniforma ushtarake, mbajti edhe një fjalim para rreth 400 pjesëtarëve të FSK-së. Sipas tij këto ditë të fundvitit janë më të veçanta meqë kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri te “momenti dhe vendimi i shumëpritur” për ndryshimin e mandatit të FSK-së. Sipas tij ky vendim, i cili i jep FSK-së kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë pjesëtarëve të FSK-së dhe e çdo qytetari të Kosovës.
Thaçi më tej tha se kanë kaluar shumë sfida deri më sot, por që tanimë kanë arritur në qëllimin final. “Nga ky muaj ju vajza dhe djem më të mirë të kombit tonë do të keni mandat dhe mision të ri si Forcë e Sigurisë së Kosovës, repsektivisht ju jeni ushtria e Kosovës. Urime përsëri Kosovë. Do të shërbeni dhe do të mbroni me dinjitet e krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke kontribuar edhe në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global”, tha ai.
Presidentit Thaçi deklaroi se zhvillimi i ushtrisë së Kosovës është i veçantë dhe i ndryshëm nga ushtritë e shumë shteteve të tjera, meqë sipas tij “populli i Kosovës e krijoi ushtrinë para se të fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin”. Duke u shprehur se pesë vite më pare, gjatë procesit të rishikimit të sektorit të sigurisë, u arrit në përfundim se FSK është e gatshme për rol dhe mision të ri, Thaçi tha se për qytetarët dhe institucionet e Kosovës pjesëtarët e FSK-së gjithmonë kanë qenë defakto ushtarë dhe FSK-ja ushtria e Kosovës.
Ai më tej vuri në dukje se transformimi i FSK-së është faktor kontribues për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë dhe falënderoi të gjithë partnerët dhe aleatët për mirëkuptimin dhe mbështetjen. Ai theksoi se FSK do të jetë gjithmonë në shërbim dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve dhe pronës së tyre pa asnjë dallim.
“FSK është zhvilluar në një forcë profesionale, multietnike, sipas standardeve të NATO-s, me përkrahje shumetnike dhe me përfaqësim meritor gjinor. Përfshirja e çdo komuniteti në FSK e dërgon mesazhin më të mirë të mundshëm, tregon vlerat dhe parimet e shoqërisë sonë, tregon se si duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucione të një shteti demokratik. Prandaj ju siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë dhe veçanërisht komunitetin serb se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. FSK-ja është institucioni më i besuar prej qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Ai uroi ushtarët e Republikës së Kosovës për detyrat e reja, si dhe qytetarët e Kosovës për ushtrinë e vendit.
Kujtojmë që nesër do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast do të votohen në shqyrtim të dytë projektligjet që do të transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri. Më 18 tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin miratuar në parim këto 3 projektligje, respektivisht Ligjin për FSK-në, për shërbim në FSK dhe atë për Ministrinë e Mbrojtjes.

