Fundosja e anijes në Indonezi, 178 persona të humbur

Zëdhënësi i policisë indoneziane, në një deklaratë ka konfirmuar se është rritur në 178 numri i personave të humbur sipas denoncimeve të fundit të bëra nga familjarët, pas fundosjes së anijes së udhëtarëve "KM Sinar Bangun"

Rritet në 178 numri i udhëtarëve të humbur si pasojë e fundosjes së një anijeje të pasagjerëve në liqenin Toba në ishullin Sumatra të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i policisë indoneziane, Jusri Junus, në një deklaratë ka konfirmuar se është rritur në 178 numri i personave të humbur sipas denoncimeve të fundit të bëra nga familjarët, pas fundosjes së anijes së udhëtarëve “KM Sinar Bangun”, e cila lundronte në liqenin Toba në linjën Samosir – Simalungun.

Ndërkohë që edhe ministria e transportit ka njoftuar se se ka formuar 5 ekipe speciale për zhvillimin më gjerësisht të aktiviteteve të kërkim shpëtimit.

Në anën tjetër bëhet e ditur se aktivitetet e kërkim shpëtimit të ndërprera ditën e djeshme kanë rinisur sot përsëri.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), Sutopo Purwo Nugroho, kishte theksuar se janë shpëtuar 19 persona dhe kanë gjetur trupin e pajetë të një personi dhe gjithashtu kishte shprehur shqetësimet se numri i të humburve mund të ishte më i lartë pasi nuk posedojnë listën e udhëtarëve.

Zyrtarët dyshojnë se fundosja e anijes ka ndodhur për shkak të kushteve të këqija të motit dhe numrit të tepërt të pasagjerëve në anije, ndërkaq shkaqet e aksidentit po hetohen.