Fuqia e fortë dhe Turqia

Përleshjet ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilat kanë filluar të përmenden shpesh kohëve të fundit, këtë herë janë përshkallëzuar duke u shndërruar gati në një luftë të mirëfilltë ndërmjet dy shteteve. Ndërsa pozicionimi i Ankarasë në krah të Bakusë me një qëndrim të palëkundur dhe me pajisje ushtarake duke e kthyer ecurinë e luftës në favor të ushtrisë azerbajxhanase, konsolidoi edhe një tjetër herë faktin që Turqia është një forcë në rritje me komponentët e saj të fuqisë së fortë.

Turqia ka shënuar përparime të mëdha në industrinë e mbrojtjes gjatë dekadës së fundit, ndërsa ushtria turke dhe burokracia e sigurisë janë ridizajnuar veçanërisht pas tentativës së dështuar për grusht shteti në 2016. Ankaraja është tani një fuqi ushtarake që askush nuk mund ta injorojë më.

Turqia vlerësohej dikur si një fuqi modeste e boshtit perëndimor në rajonin e saj, por të gjithë ne kemi dëshmuar një transformim hap pas hapi me ngritjen në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në fillim të viteve 2000. Ndërkohë që fillimisht u panë nisma për t’u shndërruar në një fuqi më ambicioze në botën perëndimore me elementë të fuqisë së butë në kontekstin politik, ekonomik dhe kulturor; koniunkturat e reja të formuara nga “Pranvera Arabe” e ndryshuan tërësisht edhe mënyrën e veprimit të Turqisë.

Bota perëndimore nuk e përtypi dot Turqinë e re dhe filloi të vendosë në shënjestër pushtetin e Partisë AK. Si përfundim, Turqia u bë skenë e një përpjekjeje për puç ushtarak më 15 Korrik 2016. Pas kësaj faze, Turqia doli plotësisht nga ndikimi perëndimor në angazhimet politike globale dhe vendoi në qendër veten e saj duke u përpjekur të ndërtojë një politikë që ekuilibron vendet perëndimore me shtete të tilla si Rusia dhe Kina. Ndërsa bënte këto hapa në kontekstin makro, ajo u transformua në një fuqi ushtarake të rëndësishme duke investuar shumë në komponentët e fuqisë së fortë në vend që vazhdonte rrugën e një fuqie të butë.

Me investimet e realizuara në industrinë e mbrojtjes dhe aktivitetet efektive në fushën e kërkim-zhvillimit, Turqia u bë një nga shtetet kryesore të botës në aspektin ushtarak. Ajo u bë vendi më i efektshëm në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës veçanërisht në fushën e mjeteve ajrore pa pilot dhe dronëve luftarakë. Turqia plotësonte nga jashtë përmes importit 80% të nevojave të saj për pajisje ushtarake në fillim të viteve 2000, ndërsa sot ky raport ka rënë deri në 20%. Mbi të gjitha, Turqia ngjiti me shpejtësi të madhe shkallët në ligën e shteteve eksportuese të mëdha në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Ajo nuk u mjaftua vetëm me investimet në teknologjitë ushtarake, por tregoi vullnet politik dhe riformatizoi plotësisht burokracinë e sigurisë veçanërisht pas tentativës për grusht shteti. Teksa krijonte një ushtri efektive dhe profesionale, Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT) gjithashtu u kthye në shërbimin informativ më efektiv në rajon. Prej tashmë disa vitesh, Turqia nuk hezitoi as për të përdorur fuqinë e saj ushtarake me ndikim në zonat e konfliktit të nxehtë në zonën gjeografike që e rrethon, duke përvetësuar kështu doktrinën e saj të re të sigurisë. Në njërën anë ajo ndërmori operacione ushtarake dhe inteligjence të suksesshme përtej kufirit të saj duke goditur organizatat terroriste PKK dhe DAESH në Irak e Siri, kurse në anën tjetër arriti të ndryshojë rrjedhën e luftës duke mbështetur forcat legjitime të Qeverisë së Pajtimit Kombëtare (GNA) në Libi. Po ashtu ndihmoi dhe vazhdon të ndihmojë Somalinë në procesin e shtetndërtimit, si dhe mundësoi suksesshëm mënjanimin e tentative pushtuese kundër Shtetit të Katarit. Së fundmi Turqia është shfaqur si një aktor i rëndësishëm në gjeopolitikën energjetike të Mesdheut Lindor duke përdorur me efektivitet flotën e saj. Ndikimin e saj në rritje e shohim së fundmi edhe në luftën armeno-azerbajxhanase duke çuar një hap më përpara mbështetjen e saj të mëparshme në trajnimin e ushtrisë azerbajxhanase. Ajo siguroi dronë luftarakë për Azerbajxhanin duke e trajtësuar luftën në favor të ushtrisë azerbajxhanase.

Teksa shtetet e tjera po i ndjekim me vëmendje arritjet turke në aspektin e gjithë këtyre manovrave e teknologjive ushtarake, falë edhe lëvizjeve të guximshme e pa hezitim të vullnetit politik turk nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, tashmë Republika e Turqisë po ngrihet si një fuqi e madhe që shtyn kufijtë.

Autor: Prof. asc. Murat Yesiltas – Drejtor i Kërkimeve të Sigurisë në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara