“G20-ta duhet të hartojë mekanizmin të përgjegjësisë ndërkombëtare”

"Për më shumë, ne duhet të hartojmë një mekanizëm ndërkombëtar të përgjegjësisë për vendet që sillen të papërgjegjshme ose jo transparente në periudha të tilla", theksoi Varank

Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të forumit G20 të hartojnë një mekanizëm të përgjegjësisë ndërkombëtare për vendet që “sillen të papërgjegjshëm ose jo transparent” në kohë krize, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim të jashtëzakonshëm virtual të ministrave të Ekonomisë të vendeve anëtare të G20-tës, Varank theksoi rëndësinë e të vepruarit në mënyrë të përgjegjshme kolektive për të ruajtur rendin global.

Ai po ashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të ofrojnë një udhërrëfyes konstruktiv dhe të orientuar në rezultate për të dalë nga pandemia e koronavirusit.

Ministrat u bashkuan në një video-konferencë për të diskutuar përdorimin efektiv të politikave të ekonomisë dixhitale për t’u marrë me pandeminë e koronavirusit.

Rritja e lidhjes në internet, garantimi i sigurisë së të dhënave, zhvillimi i projekteve dixhitale R&D në sektorin e kujdesit shëndetësor, përdorimi i teknologjive dixhitale për prodhimin e furnizimeve mjekësore dhe forcimi i qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në zinxhirët global të furnizimit ishin ndër temat e trajtuara gjatë takimit.

Duke theksuar se ekonomia botërore do të kalojë vitin më të keq që nga Depresioni i Madh, Varank tha se bashkëpunimi në G20 është i domosdoshëm për të shpëtuar ngjashëm njerëz dhe jetesën.

“Për më shumë, ne duhet të hartojmë një mekanizëm ndërkombëtar të përgjegjësisë për vendet që sillen të papërgjegjshme ose jo transparente në periudha të tilla”, theksoi Varank.

Përpjekjet e Turqisë

Duke folur mbi përpjekjet e Turqisë për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Varank tha se deri më tani Turqia ka shpërndarë furnizime mjekësore për 55 vende.

“Mundësia e Turqisë për ta arritur këtë u bë e mundur me udhëheqjen vizionare të përsosmërisë së tij, presidentit Recep Tayyip Erdoğan”, shtoi Varank.

Ai theksoi se vendi lëvizi me shpejtësi në zgjidhjen e krizës falë sistemit të tij të fuqishëm të kujdesit shëndetësor.

“Së pari, ne kemi ndarë disa nga spitalet tona si spitale pandemike. Pastaj, me shpejtësi u rrit kapaciteti i njësive tona të kujdesit intensiv”, shpjegoi Varank.

Përderisa shumë vende përballen me mungesa të pajisjeve mjekësore, përfshirë pajisjet personale mbrojtëse, respiratorët dhe maskat, tha Varank Turqia ndërmori iniciativën kombëtare të urgjencës për prodhimin në masë të ventilatorëve vendas në një periudhë dy javore.

“Falë kësaj përpjekjeje, ne sot mund të ndajmë një pajisje respiratore për gati çdo shtrat të kujdesit intensiv”, theksoi Varank.

Teknologjitë dixhitale

Më tej, Varank theksoi se teknologjitë dixhitale janë përdorur në mënyrë efektive për të luftuar pandeminë në Turqi, siç është aplikimi i përcjelljes pandemike që tregon statusin e saktë të shpërthimit dhe krijimit të hartave të rrezikut në të gjithë vendin.

“Me pëlqimin e tyre, individët po ashtu mund të ndjekin familjen e tyre, të marrin qasje në shërbimet sociale dhe madje të vlerësojnë veten për virusin me ndihmën e disa pyetjeve të hollësishme”, theksoi Varank.

Së fundmi, njoftoi Varank, Turqia ka lëshuar një platformë COVID-19 të teknologjisë për të koordinuar projektet R&D për zbulimin e ilaçeve dhe vaksinave të reja.

“Ne jemi duke përdorur teknika të mëdha të kërkimit të të dhënave, për shembull, për të identifikuar kandidatët për ilaçe midis mijëra molekulave me ndihmën e inteligjencës artificiale”, tha ai.

Duke treguar rolin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në stabilitetin e zinxhirëve global të furnizimit në mes të koronavirusit, Varank tha se Turqia i mbështet ata të përdorin teknologjitë dixhitale në prodhim dhe modele të biznesit.

Autoritetet shëndetësore turke së fundmi njoftuan se Turqia ka regjistruar gjithsej 3.174 vdekje nga koronavirusi, ndërkohë që rreth 49 mijë janë shëruar nga sëmundja. Deri më tani në këtë vend ka 120.204 raste të konfirmuara të koronavirusit.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga COVID-19 në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 3.2 milionë, me rreth 232 mijë të vdekur dhe mbi 1 milionë pacientë të shëruar.