Gazprom kërcënon Gjermaninë se do ta lërë pa gaz

Një zyrtar i lartë i gjigantit rus të energjisë, Gazprom, tha se kompania nuk do të rinisë dërgesat e gazit përmes tubacionit Nord Stream 1 derisa kompania partnere gjermane të mos riparojë një pajisje që pretendoi se është me defekt.

Ky njoftim rrit shqetësimet në Evropë rreth zvogëlimit të sasisë së energjisë, teksa dimri po afrohet.

Kompania partnere gjermane, Siemens Energy, tha se nuk është ngarkuar që të kryejë ndonjë riparim. Kjo kompani tha se riparimi që pretendon Gazpromi se duhet të kryhet është diçka që rregullohet me lehtësi dhe një gjë e tillë, normalisht, nuk do të duhej të çonte deri te pezullimi i dërgesave me gaz.

Gjatë një ngjarjeje ekonomike në Vladivostok më 6 shtator, zëvendësdrejtori i Gazpromit, Vitaly Markelov, tha se rinisja e dërgesave të gazit nuk mund të ndodhë “para se ata të riparojnë pajisjen”.

Disa ditë më parë Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Evropën duke thënë se tubacionet kanë nevojë për riparime.