Gazsjellësi TAP rriti me 16 herë investimet zvicerane në Shqipëri në 5-së vitet e fundit

Gazsjellësi TransAdriatik-TAP, një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Evropian, pjesë e Korridorit të Gazit Jugor, po gjeneron volume të rëndësishme investimesh në Shqipëri nga puna në tubacionet nëndetare, pasi ka mbyllur pjesën më të madhe të punimeve tokësore...

Gazsjellësi TransAdriatik-TAP, një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Evropian, pjesë e Korridorit të Gazit Jugor, po gjeneron volume të rëndësishme investimesh në Shqipëri nga puna në tubacionet nëndetare, pasi ka mbyllur pjesën më të madhe të punimeve tokësore.

Ky projekt e ngjit Zvicrën në investitorin kryesor të huaj në Shqipëri për tremujorin e dytë të këtij viti, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se fluksi i investimeve zvicerane arriti në 74 milionë euro, me një rritje prej 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 57% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

Për të gjithë 6-mujorin e parë 2020, investitori më i madh i huaj në Shqipëri ishte Holanda, me 143 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 119 milionë dhe nga Turqia me 48 milionë euro.

Për tremujorin e dytë, Shqipëria thithi investime të huaja në vlerën e 221 milionë eurove.

BSH bën të ditur se, “renditja e investitorëve të huaj sipas stokut të investimeve të deritanishme vazhdon të kryesohet nga Zvicra, me 1.58 miliardë euro, që në pjesën dërrmuese kanë hyrë për të financuar gazsjellësin TAP”.

Ky projekt i ka rritur investimet zvicerane me 16 herë në pesë vitet e fundit.