Gent Cakaj takon në Turković në Sarajevë, fokus njohja e Kosovës

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Sarajevë, zhvilloi një takim me Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turković.

Fokusi i takimit ishte thellimi i marrëdhënieve dypalëshe veçanërisht nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe nxitjes së turizmit, raporton Top Channel.

“Vlerësuam bashkërisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e ndërlidhjes, transportit, digjitalizimit dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të shtuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” -u shpreh Cakaj në një reagim në facebook.

Për më tepër, gjatë takimit theks i veçantë u vendos tek njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina, si një vendim jo vetëm historikisht i drejtë, por edhe skajshmërisht i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e forcimin e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Ndamë pikëpamjen e njëjtë lidhur me bashkëpunimin e mirë në një varg organizatash ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në dhe UNESCO-n. Gjithashtu, vlen të përmendet mbështetja e Bosnje dhe Hercegovinës për synimin e Shqipërisë për të marrë një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.” – përfundoi Kryediplomati Cakaj postimin e tij.